Isaia 42:1-4

“Ja shërbëtori im, që unë përkrah, i zgjedhuri im që më kënaq shpirtin. Kam vënë Frymën time mbi të; ai do t`ju sjellë drejtësinë kombeve. Nuk do të bërtasë, nuk do ta ngrerë zërin, nuk do të bëjë të dëgjohet zëri i tij nëpër rrugë. Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym; do ta paraqesë drejtësinë sipas së vërtetës. Ai nuk do të ligështohet dhe nuk do të dekurajohet; deri sa të vendosë drejtësinë mbi tokë; dhe ishujt do të presin ligjin e tij”. Isaia 42:1-4

Të ftuar në ” Jetë prej trupit të tejshpuar “

Në ditën e fundit të programit special të Pashkës ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” dy të ftuar të veçantë vijnë në studio:
Asvjona, me një dëshmi shumë të ndjerë dhe të fortë, dhe i ftuar për të folur rreth të jetuarit një jete si i shpëtuar dhe i plotë, pastor Lorenc Ahmeti.
Na ndiqni në orën 15.00 dhe ritransmetim në mbëmje në orën 21.00, dhe nesër në mëngjes në orën 9.00, në RADIO EMANUEL.

I shpëtuar dhe i plotë

Sa e sa herë dëshirojmë të jemi plotësisht të lumtur, të mos ndiejmë atë boshllëkun që gërryen, duam të ndihemi të dashur, të shëruar dhe të plotë. Eshtë një ndjesi që mund ta kërkojmë gjithë jetën, por nuk do e përjetojmë kurrë nëse nuk hidhemi në krahë e Krishtit që pikërisht me ringjalljen e tij na dha një jetë të plotë dhe shpëtim.
Tema në fokus sot në ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” :
I shpëtuar dhe i plotë.

Ringjallja

Luka 24: 1 – 12

Ringjallja

Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.

Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.

Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.

Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile, duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë“.

Dhe ato kujtonin fjalët e tij.

Kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.

Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.

Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.

Luka 24: 36 – 53

Jezusi u shfaqet të njëmbëdhjetëve

Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!“.

Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!“.

Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.

Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?“.

Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.

Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet“.

Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.

Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.

Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart“.

Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.

Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.

Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.

Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!

Të ftuar në ” Jetë prej trupit të tejshpuar “

Këtë të shtunë Pashke, ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” ju sjell në vëmendje të tjetë të ftuar:
Sheila, që do të na tregojë për historinë e saj, dhe i ftuar në studio Klodian Bego, për të folur rreth zgjedhjes së një heroi të përjetshëm.
Na ndiqni sot në orën 15.00, dhe ritransmetim në mbrëmje në orën 21.00 dhe nesë në mëngjes në orën 8.00, vetëm në RADIO EMANUEL.

Zgjidh heroin tënd

Sa e thjeshtë apo e vështirë është të kesh një hero dhe të mos të të zhgënjejë apo braktisë kurrë?
Një hero të paperëndueshëm…
A e keni zgjedhur heroin tuaj?
Çfarë duhet të ketë një hero i përjetshëm?
Tema në fokus sot në ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” :
Zgjidh heroin tënd.

Varrimi dhe zbritja e Krishtit në ferr

Luka 23: 49 – 56

Varrimi

Të gjithë të njohurit e tij dhe gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea qendronin larg, duke parë këto gjëra.

Tani ishte një burrë me emër Jozef, që ishte anëtar i sinedrit, njeri i drejtë dhe i mirë; ai nuk kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Ai ishte nga Arimatea, qytet i Judesë dhe priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë.

Ai iu paraqit Pilatit dhe kërkoi trupin e Jezusit. Dhe, pasi e zbriti poshtë nga kryqi, e mbështolli në një çarçaf dhe e vuri në një varr të gërmuar në shkëmb, ku ende nuk ishte varrosur asnjeri.

Ishte dita e Përgatitjes dhe e shtuna po fillonte.

Gratë që kishin ardhur me Jezusin nga Galilea duke e ndjekur nga afër, e panë varrin dhe mënyrën se si ishte vënë trupi i Jezusit; pastaj ato u kthyen dhe përgatitën erëra të mira dhe vajra; dhe gjatë së shtunës pushuan, sipas urdhërimit.

Gjoni 5 : 24 – 29

Mbi zbritjen e Krishtit në ferr.

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.

Të ftuar në ” Jetë prej trupit të tejshpuar “

Dy të ftuara shumë të veçanta vijnë sot në programin ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” :
Ornela, që do të ndajë me ne ecjen e saj shumë prekëse dhe sfiduese me Perëndinë, gjithashtu për të folur rreth kësaj teme shumë delikate dhe të ndjeshme në studio Stela Viso, për temën ” Të prekësh fundin “.
Na ndiqni në orën 15.00 dhe ritransmetim në orën 21.00 dhe nesër në orën 9.00, në RADIO EMANUEL.

Të prekësh fundin

Sa herë keni ndjerë në jetën tuaj t’iu rëndojnë dhe mbytin padrejtësitë, tuajat apo të të tjerëve, dhimbjet, humbjet…
Sa herë keni ndjerë se po prekni fundin?
Krishti e preku fundin atje në kryq, kur morri mbi vete gjithë mëkatet tona, kur Perëndia e ktheu fytyrën e tij larg Tij dhe ai në një thirrje të dëshpëruar bërtiti:
” Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur? ”
Dhe prapë se prapë na deshi, kishte një këndvështrim të ndryshëm nga çfarë do e kishim ne, Ai tha : ” Fali o Atë se nuk dinë çfarë bëjnë “…
Tema në fokus sot në ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” :
Të prekësh fundin.

Kryqëzimi

Luka 23: 1 – 25

Jezusi përpara Pilatit dhe Herodit

Atëherë u ngrit gjithë asambleja dhe e çuan te Pilati.

Dhe filluan ta paditin duke thënë: “Këtë ne e gjetëm që përmbyste kombin tonë dhe ndalonte t`i jepeshin taksa Cezarit, duke u vetëquajtur një mbret, Krishti“.

Atëherë Pilati e pyeti duke thënë: “A je ti mbreti i Judenjve?“. Dhe Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Ti po thua“.

Pilati u tha atëherë krerëve të priftërinjve dhe popullit: “Unë nuk po gjej asnjë faj te ky njeri“.

Por ata ngulnin këmbë, duke thënë: “Ai po ngre popullin në kryengritje duke mësuar në mbarë Judenë, që nga Galilea e deri këtu“.

Atëherë Pilati, kur dëgjoi se u fol për Galilenë, pyeti në se ai njeri ishte Galileas.

Dhe kur mori vesh se ai i takonte juridiksionit të Herodit, e dërgoi te Herodi, i cili, ndër ato ditë, ndodhej edhe ai në Jeruzalem.

Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.

Ai i drejtoi shumë pyetje, por Jezusi nuk u përgjigj fare.

Ndërkaq krerët e priftërinjve dhe skribët rrinin aty dhe e paditnin me furi.

Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.

Atë ditë Herodi dhe Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, ndërsa më parë ishin armiq.

Atëherë Pilati, mblodhi krerët e priftërinjve, kryetarët dhe popullin, dhe u tha atyre: “Ju më prutë këtë njeri si çoroditës të popullit; dhe ja, unë, pasi e hetova para jush, nuk kam gjetur tek ai asnjë nga fajet për të cilat ju e paditni dhe as Herodi, sepse na e ktheu përsëri te ne; në fakt ai s`ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj“.

Tani me rastin e festës së Pashkës qeveritari duhet të lironte dikë. Por ata, të gjithë njëzeri, bërtitën duke thënë: “Vraje këtë dhe na liro Barabën“.

Ky ishte hedhur në burg për një trazirë të bërë në qytet dhe për vrasje.

Prandaj Pilati, duke dashur të lëshojë Jezusin, u foli përsëri.

Por ata bërtitnin duke thënë: “Kryqëzoje!“.

Për të tretën herë ai u tha atyre: “Po ç`të keqe bëri ky? Unë nuk gjeta në të asnjë faj që të meritojë vdekjen. Prandaj, pasi ta fshikullojnë, do ta lëshoj“.

Por ata ngulnin këmbë me britma te mëdha duke kërkuar që ta kryqëzonin; dhe britmat e tyre dhe të krerëve të priftërinjve u bënë mbisunduese.

Atëherë Pilat vendosi që të bëhej çka ata kërkonin. Dhe ua lëshoi atë që qe burgosur për trazirë dhe vrasje dhe që ata e kishin kërkuar; dhe Jezusin ia dorëzoi vullnetit të tyre.

Luka 23: 33 – 48

Kryqëzimi

Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka“, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.

Dhe Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç`bëjnë“. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.

Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: “Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë“.

Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten“.

Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: “KY ÉSHTÉ MBRETI I JUDENJVE”.

Tani një nga keqberësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve“.

Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s`ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?

Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe“. Pastaj i tha Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde“.

Atëherë Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë“.

Ishte afërsisht ora e gjashtë dhe errësira e mbuloi gjithë vendin deri në orën e nëntë. Dielli u err dhe perdja e tempullit u nda në mes.

Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!“. Dhe, si tha këto, dha fryma.

Atëherë centurioni, kur pa ç`ndodhi, përlëvdoi Perëndinë duke thënë: “Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë!“.

Dhe gjithë turma, që ishte mbledhur për të parë ç`po ndodhte, kur e pa këtë, u kthye duke rrahur kraharorin.

Darka e Zotit

Luka 22: 7 – 23

Darka e Pashkës

Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.

Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: “Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë“.

Dhe ata e thanë: “Ku dëshiron ta përgatisim?“.

Atëherë ai tha atyre: “Ja, kur të hyni në qytet, do t`ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë. I thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?”. Atëherë ai do t`ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet“.

Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën. Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.

Atëherë ai u tha atyre: “Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj, sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë“.

Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: “Merrnie këtë dhe ndanie midis jush, sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë“.

Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim“.

Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.

Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë. Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!“.

Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.

Të ftuar në ” Jetë prej trupit të tejshpuar “

Në një ditë të veçantë si kjo e enjte, programi ” Jetë prej trupit të tejshpuar ” ju sjell dy të rinj të tjerë në studio:

Albinën që do të na tregojë për jetën e saj me Krishtin dhe të ftuar në studio për të diskutuar rreth trashëgimisë të përjetshme që Krishti na ka lënë Zamirin.

Na ndiqni në orën 15.00 dhe ritransmetim në orën 21.00 dhe nesër në orën 9.00, në RADIO EMANUEL.