Biri i vetëmlindur

Krijuar nga në 20/03/2019

Biri i vetëmlindur”. Teksti ynë kryesor është shkëputur nga Testamenti i Ri, Ungjilli i Gjonit 3:16-18. Ju lutem dëgjoni nga Fjala e Perëndisë.

 “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

“I vetëmlindur” nuk është një fjalë që e përdorim sot, vetëm në rastin kur i referohemi vargut shumë të njohur biblik tek Gjoni 3:16, “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”

Duke iu referuar termit “i vetëmlindur”, mos do të thotë vallë se Biri i Atit Perëndi, Jezus Krishti u krijua? Mos vallë Ai ka një fillim që e solli në ekzistencë?

Nëse Jezus Krishti u krijua, atëherë Ai nuk mund të jetë Perëndi. Por, sipas Shkrimit, sipas Biblës Jezus Krishti është Perëndi. Tek letra e Kolosianëve 2:9 na thuhet, “Sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” Zoti është para-ekzistent, i përjetshëm, pa fillim dhe pa fund. Triniteti përfshin Birin e Perëndisë, i Cili është “UNË JAMI”. Ai ka ekzisutar gjithmonë jashtë kohës dhe hapësirës.

Por, çfarë do të thotë “i vetëmlindur” në këtë rast, në tekstin tonë, Gjoni 3;16? Një studjues i Biblës shkruan, “Për shumë vjet ështe menduar se fjala “i vetëmlindur” vjen nga bashkimi i fjalës greke “mono” që do të thotë “vetëm” me fjalën “gennao” që do të thotë “lindur”. Por studimet linguistike të shekullit të 20-të na kanë treguar se pjesa e dytë e fjalës në të vërtetë lidhet me fjalën “genos” që do të thotë “klasë ose lloj”. Pra fjala “i vetëmlindur” do të thotë “i një lloji të vetëm”, ose  bir “unik”. Një shembull të tillë e gjejmë tek Hebrenjve 11:17, “Me anë të besimit Abrahami, pasi u vu në provë, ofroi Isakun dhe ai që kishte pritur premtimet ofroi birin e tij të vetëm.” Isaku është biri “monogenes” i Abrahamit, fjala greke që tregon se është “i një lloji të vetëm.” A pati Abrahmi edhe bij të tjerë? Po. Ismali, por ai nuk ishte, sipas këtij konteksti biri i tij i një lloji të veçantë, biri që Perëndia kishte zgjedhur pwr beswlidhjen me Abrahamin. Biri i Besëlidhjes ishte Isaku.

Hebrenjve 11:18 thotë “Ndonëse Perëndia i pati thënë: “Te Isaku do të quhet pasardhja jote (që do të mbajë emrin tënd).”

Pra, “i vetëmlindur” tek Gjoni 3:16 i referohet ardhjes së Krishtit nga Ati, ky varg, po ashtu edhe  Gjoni1:14, Gjoni 3:18; 1 Gjonit 4:9  konfirmojnë statusin unik të Krishtit, statusit të një lloji të veçantë, si Bir i Perëndisë.

Pavarësisht nga keqinterpretimi i kishës së hershme në lidhje me termin grek “monogenes”, shumë tekste të tjerë biblikë e tregojnë mjaft qartë se Krishti ishte plotësisht Perëndi, para-ekzistent, sa që edhe kisha e hershme arriti në përfundimin që çfarëdo kuptimi që të kishte “i vetëmlindur”, me siguri që  nuk kishte kuptimin “i krijuar”, siç mendojnë shumë kulte dhe besime të rreme në lidhje me Jezus Krishtin edhe sot.

Që nga viti 325 pas Krishtit, Dekreti i kishës së Nikesë thotë:

Ne besojnë në një Perëndi, Ati i Plotfuqishëm, Krijuesi i të gjitha të dukshmeve dhe të padukshmeve. Ne besojmë në të vetmin Zot Jezus Krisht, Birin e Perëndisë, të vetëmlindur nga Ati, të Vetëmlindurin, që është thelbi i i Atit, Zot i Zotërve, Dirtë e Dritës, Perëndi i Perëndisë, i vetëmlindur, jo i krijuar, duke qënë nga njëjta substancë me Atin.”

Për më tepër, një këshill i mëvonshëm kishtar qortoi mësimet e rreme dhe mësuesit e rremë në lidhje me Jezus Krishtin duke treguar se “Ai  është nga njëjta  substancë me Atin.” Jezus Krishti është plotësisht, përjetësisht Perëndi dhe i barabartë me Zotin, Atin në përmbajtje.

Pse kjo është e rëndësishme? Nëse kjo e vërtetë nuk do të vwrtetohej, doktrina e Trinitetit, e Hyjnisë, tw tre personave në Një nuk do të ishte e vlefshme. Ne u drejtohemi në të njëjtën mënyrë Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë.

Pse është e rëndësishme përjetësia, barazia, hyjnia e Atit, Birit, Frymës së Shenjtë? Le të marrim në konsideratë këto pesë arsye:

Së pari: Shlyerja vihet në dyshim. Si mund të ndodhë kjo? Nëse Jezus Krishti, Biri është vetëm një qënie e krijuar dhe jo plotësisht Perëndi, si mundet Ai, një krijesë, të mbartë mbi vetë gjithë zemërimin e Perëndisë ndaj mëkatit, mëkateve të të gjithë racës njerëzore? A mundet një krijesë, pavarësisht sa madhështore mund të jetë, të na shpëtojë më të vërtetë, të shfajësojë gjithë racën e krijuar njerëzore? Përgjigjia është “JO!”

Së dyti: Shfajësimi ynë përmes besimit kërcënohet, nëse ne mohojmë hyjninë e plotë të Birit të Perëndisë. Nëse Jezus Krishti nuk është plotësisht Perëndi, ne dyshojmw nëse Ai mund të na shpëtojë më të vertetë. A mund të mbështetemi në një krijesë për shpëtimin tonë? JO!

Së treti: Nëse Jezus Krishti nuk është përjetësisht Perëndi, pse duhet t’i lutemi dhe ta adhurojmë? Kush mund t’i dëgjojë dhe t’ju përgjigjet të gjitha lutjeve të njerëzve të Perëndisë, përveçëse një Perëndie të pafundëm, të gjithëpushtetshëm, të gjithëdijshëm? Kush përveç Perëndisë mund të jetë i denjë? Nëse Jezus Krishti është vetëm një krijesë, adhurimi ndaj Tij do të ishte vetëm idhujtari.

Së katërti: Nëse dikush thotw se Jezus Krishti është një qënie e krijuar, që mund të na shpëtojë, ai është duke i dhënë merita për shpëtimin një krijese dhe jo Perëndisë. Kjo është blasfemi.

Së pesti: Pavarësia dhe natyra personale e Perëndisë vihen në diskutim. Nëse nuk ka Trinitet, nuk ka as marrëdhënie ndërpersonale brenda qënies së Hyjnisë para krijimit dhe pa pasur marrëdhënie personale është e vështirë të shohësh se si Perëndia mund të jetë me të vertetë personal, të ketë dëshirë të lidhet me krijimin; ose të ketë dëshirë të shpëtojë krijimin.

Pra,  fjala “i vetëmlindur” që i referohet Jezus Krishtit nuk do të thotë “i krijuar”, por do të thotë Bir unik dhe i vetmi Bir i Perëndisë me përmbajtje të njëjtë me Perëndinë. “I vetëmlindur” na tregon se Jezus Krishti ndan të njëjtën natyrë hyjnore me Atin e Tij. I vetëmlindur do të thotë të barazosh Krishtin me Atin, jo ta ulësh para Atit.

Jezus Krishti, si Bir i Perëndisë ka para-ekzistuar si Perëndi, para se të ekzistonte në trajtë njerëzore si Perëndia-njeri.

Autori i mirënjohur, mbrojtësi i Besimit,C. S. Luis ilustron se çfarë do të thotë i “vetëmlindur”: “Kur ti lind, ti lind diçka të llojit tënd. Njeriu lind foshnja njerëzore, kastori lind kastorë të vegjël. Por, kur krijon, ti krijon diçka të një lloji tjetër nga vetja jote. Zogu ndërton një çerdhe, kastori ndërton një strofkull. Perëndia mund të lindë Perëndinë, ashtu si njeriu lind njerinë. Ajo çfarë Zoti krijon nuk ështe Perëndi, ajo çfarë njeriu krijon nuk është njeri. Njeriu mund t’i ngjajë Perëndisë në mënyra të ndryshme, por nuk është i të njëjtit lloj me Perëndinë.” Zoti është Krijuesi i përjetshëm, njerëzit janë krijesa të përjetshme.

Jezus Krishti ështe Biri i vetëmlindur i Perëndisë. Gjoni 3:16 thotë, “sa dha Birin e tij të vetëmlindurin”. Kjo do të thotë Birin e tij unik të një lloji të vetëm, të vetëmlindurin sipas llojit të Atit Perëndi.

Një tjetër fjalë që keqinterpretohet në kontesktin Biblik në lidhje me Jezus Krishtin është një fjalë e ngjashmë e përsëritur në vargjet vijuese “i parëlindur”. Romakëve 8:29, “ Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.”

Kolosianëve 1:15 thotë, “Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese.”

Kolosianëve1:18 thotë, “Ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë.”

Hebrenjve 1:6,Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.”

Hebrenjve 12:23 thotë, “dhe kishës të të parëlindurve .”

Zbulesa 1:5 thotë, “dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.”

Cili term/fjalë në këto vargje që i referohen Jezus Krishtit mund të ketë një kuptim unik? Fjala “i parëlindur”. Çfarë do të thotë “i parëlindur” në përgjithësi? Fjalori thotë, “I pari në rendin e lindjeve, i cili ka lindur i pari dhe që ka një fillim.” A nuk wshtw edhe Jezus Krishti në një farë sensi i parëlinduri në njerëzim? Po. Luka 2:7 thotë, “ Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur.” Kush është “ajo”? Maria. Kush është i parëlinduri i saj? Jezusi. A pati Maria bij të tjerë? Po. Sa? Mateu 13:55 flet për 4 bij të tjerë, aty na thuhet, “Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda? ”Në fakt, këta ishin gjysëm vëllezër të Jezusit nga Maria dhe Jozefi, sepse Jezusi lindi si pasojë e lindjes së virgjër. Nga ana konologjike, Ai ishte i parëlinduri edhe në këtë rast.

Pra, a kishte Biri i Perëndisë një fillim dhe a ishte Ai një qënie e krijuar? Jo!

A njihni ndonjë të parëlindur tjetër, që nuk ka pasur një fillim, përveç Jezusit? Si është e mundur që Jezus Krishti të jetë i parëlindur? Sepse termi “i parëlindur” ka një kuptim të dytë, që do të thotë “I lartesuar”, i vetmi trashëgimtar i denjë, për të cilin na fitet në këtë kontekst. Le të marrim në konsideratë Eksodin 4:22 që thotë, “Kështu thotë Zoti: Izraeli është biri im, i parëlinduri im“.

A ishte Izraeli kombi i parë në tokë? Jo! Por, çfarë do të thotë “i parëlindur” në këtë rast nga këndvështrimi i Perëndisë? Izrael do të thotë kombi i lartësuar i Perëndisë. Gjithashtu, le të shohim Hebrenjve 1:6, “Dhe akoma, kur ta shtjerë të Parëlindurin në botë, thotë: “Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Perëndisë.” Nga ana konologjike, a ishte Jezusi i parëlinduri në njerëzim? Jo! Në këtë rast kuptimi është “i lartësuar i Tij”. A mertion Ai që ta adhurojnë engjëjt? Pa diskutim që “Po!”

Kolosianëve 1:15 thotë “ Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese.  Nga ana kronologjike a ishte Jeuzsi i parëlinduri? Jo! Por, këtu do të thotë “i lartësuari” mbi gjithë krijimin.

Kjo vërtetohet edhe nga Kolosianëve 1:16 ku thuhet, “sepse në të u krijuan të gjitha gjërat”. Fjala greke për “i parëlindur” i referohet të vetmit që u lind fillimisht kronologjikisht, por mund të përdoret edhe për të treguar epërsi në pozitë dhe rang, që zakonisht në Testamentin e Vjetër përdoret për t’ju referuar Jezusit. Në fakt, nga ana biblike, Jezus Krishti është i vetëmlinduri, i parëlinduri Bir i vetëm unik i Perëndisë që është shpallur si i lartësuari mbi gjithë krijimin. Ne e lavdërojmë dhe e adhurojmë për këtë në përjetësi.


Opinionet e Lexuesve

Lini një Koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e nevojshme janë të shënuara me *


Continue reading

Radio Emanuel

Mbaje Shpirtin Tënd Zgjuar

Current track
TITLE
ARTIST