Kur u mbush koha

Krijuar nga në 20/03/2019

Kur u mbush koha”. Teksti ynë kryesor gjendet tek Testamenti i Ri, Galatasve 4:4-5.

“Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.”

Kjo është Fjala e Perëndisë.

Shpesh herë, koha është shumë e rëndësishme. Për shembull, të jesh në vendin dhe në kohën e duhur. Për ne që jemi të martuar të mbajmë mend përvjetorin e martesës është shumë e rëndësishme, veçanërisht për gratë tona.

Për shembull, kam lexuar për një grua, që quhej Nensi, që ka thënë se burri i saj Xhorxhi, nuk mbante mend përvjetorin e tyre të martesës, që ishtë në 7 mars. Një herë, Xhorxhi vendosi të bënte një përpjekje për ta mbajtur mend. Çifti  kishte hipur në një avion të vogël dhe kishin vendosur të shkonin të vizitonin miqtë e tyrë ne Australi. Disa minuta pas mesnatës së datës 6 mars, Xhorxhi e pa gruan e tij me krenari dhe i tha, “Këtë herë jam i sigurt se pas një minute do të kemi përvjetorin tonë, që është ne datën 7 mars.” Por, pikërisht në atë çast piloti tha: “ E kemi kaluar tashmë datën 7 mars, për shkak të ndryshimit të orarit. Sot është data 8.”  Koha e tyre e përvjetorit kishte kaluar tashmë.

Në lidhje me Galatasve 4:4, “Kur u mbush koha”, a e keni vrarë ndonjëherë mendjen se përse Jezusi erdhi pikërisht në atë periudhë të historisë? Nuk do të ishte më mirë për ne nëse do të kishte ardhur në kohën tonë? Imagjinoni sikur të kishit mundësi të shihnit Jezusin fizikisht, të paktën në televizor. Me siguri, Ai do të ishte një njeri shumë i famshëm, do të tërhiqte vëmendjen e mediave. Vras mendjes se si do ta kishim vlerësuar ne. Mashtures? Gënjeshtar? Zot?

Bibla konfirmon se “Perëndia dërgoi Birin e Tij”-“Kur u mbush koha.” Kujt i referohet kjo me saktësi? I referohet kohës së Perëndisë, që Ati Perëndi e kishte menduar si kohën më të mirë për të dërguar Birin e Tij në botë. Kjo ishte koha që bota ishte gati për lindjen e Shpëtimtarit, për ardhjen e parë të Birit të Perëndisë.

Vini re: Galatasve 4:4, “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit.” “U mbush koha” më tepër i referohet faktit që u mbush koha e përgatijes së Perëndisë për shpengimin e njerëzimit. Ligji i Zotit e kishte përmbushur plotësisht qëllimin e tij për t’i treguar njerëzimit në lidhje me mëkatin dhe me pamundësinë për të ruajtur standartin prefekt të drejtësisë së Perëndisë. Njerëzimi kishte nevojë për një Shpëtimtar. Për këtë arsye, Perëndia siguroi njeriun e përsosur për të qënë Shpëtimtar, Shpengues i njerëzve mëkatarë.

“I lindur prej gruaje” do të thotë se ky njeri i drejtë ishte plotësisht njerëzor. “Perëndia dërgoi Birin e Tij” na tregon edhe për hyjninë e Tij. Ai është njeriu-Perëndi. Fakti që Ati e dërgoi Atë, na tregon edhe për faktin e para-ekzistencës së Tij, si një qënie e përjetshme.

Fakti i të qënit njerëzor e kualifikon Shpëtimtarin tonë për të qënë zevendësuesi ynë. Ai u bë njëri prej nesh, por nuk mëkatoi. Natyra e Tij hyjnore është e nevojshme që sakrifica e Tij të ketë dobi të përhershme, që të shlyente mëkatin e grumbulluar të të gjithë rracës njerëzorë. “I lindur nën ligj” do të thotë se si i gjithë Izraeli, edhe Shpëtimtari duhej t’i bindej ligjit të Perëndisë. Pamëkatshmëria e bëri Jezus Krishtin sakrificën e përsosur për mëkatin e të gjithë botës.

2 Korintasve 5:21 e thekson këtë të vërtetë, “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.”  Drejtësia e përsosur e Krishtit është siguruar për ne që besojmë tek Ai.

Ka shumë faktorë që tregojnë se koha po afronte që Perëndia të dërgonte Birin e Tij në botë. Le të shohim disa:

Nga ana historike:

Historia na tregon se bota perandorake romake ishte në kërkim të një lloj çlirimi, ose çlirimtari, pikërisht, në kohët kur lindi Jezusi. Fetë e vjetra po vdisnin, filozofët e vjetër ishin të pafuqishëm për të ndikuar jetët e njerëzve. Fetë e reja misterioze dhe të çuditshme po pushtonin Perandorinë, Perandorinë Romake. Feja po merrte fund dhe kishte një etje të madhe shpirtërore. Megjithatë, historia na tregon se Perandoria Romake ka ndihmuar në përhapjen e Lajmit të Mirë të Shpëtimtarit. Si ka mundësi? Romakët ndërtuan rrugë që njerëzit të komunikonin më mirë. Rrugët romake janë mjaft të njohura. Pushteti romak solli një paqe relative, e njohur si e famshmja “Pax Romana”. Për shkak të pushtimeve greke dhe romake, gjuha greke dhe latine ishin mjaft të përhapura në të gjithë Perandorinë dhe kjo e lehtësonte komunikimin e ungjillit, të Lajmit të Mirë të Jezus Krishtit.  Ishte koha e duhur.

Nga ana fetare:

Së pari, Mesia u dërgua në Izrael. Gjatë pushtimit babilonas, hebrenjtë më në fund arritën të hiqnin dorë nga idhujtaria, të cilën e kishin praktikuar shumë herë. Gjatë Eksodit, hebrenjtë ngritën sinagogat si vende kulti për të adhuruar dhe mësuar. Koha kishte ardhur.

Nga ana politike:

Përderisa Roma kishte vendosur “Pax Romana”, paqen romake, ekzistonte nje stabilitet politik dhe ekonomik. Apostujt dhe ungjilltarët mund të udhëtonin të lirë dhe të sigurt përgjatë Perandorisë. Të gjithë këta faktore ishin unikë për përhapjen e Lajmit të Mirë të Jezus Krishtit si Shpëtimtar dhe si Zot.

Le të marrim në konsideratë disa gjëra të rëndësishme të lajmërimit të engjëllit Gabriel për Marinë në lidhje me të Vetmin të dërguar në botë. Luka 1:31-32 thotë “Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus.32 Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij.”

Emri “Jezus” në greqisht do të thotë, “Jehovah, ose Zoti shpëton. Zoti shpëton, ose shpëtimi është i Zotit.” Ky është kuptimi i fjalës “Jezus” fjalë për fjalë. Në hebraisht lidhet me emrin Jozue. Ashtu si Jozueu çoi Izraelin në tokën e premtuar, po ashtu edhe Jezus Krishti, çoi njerëzit e Tij drejt besimit, për të fituar parajsën dhe jetën e përjetshme. Kjo ndodh vetëm sepse Jezus Krishti është Zot, Ai është Zoti që shpëton.

Le të vëmë re fjalët e Lukës 1:32 që thotë “do të quhet Biri i Shumë të Lartit.”  Shumë i Larti do të thotë Zoti.

Një studjues i Biblës shkruan këto fjalë: “900 vjet para se të lindte Jezusi, Zoti profetizoi, “Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua.” 2 Samuelit 7:14, na tregon se në përjetësi ka pasur gjithmonë tre persona të Trinitetit.

Gjatë lajmërimit që engjëlli  Gabriel i dha Marisë në lidhje me lindjen e Jezusit, ai shpalli, “Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.” Luka1:32;35. Tek Hebrenjve 1:5-6 na flitet për mishërimin e Tij. Jezusi, personi i Trinitetit, u bë mish dhe gjak, u bë njëri prej nesh, plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Ai e zbrazi veten nga të gjithë privilegjet kur erdhi në tokë.”

Jezus Krishti, Biri, është Zoti Perëndi. Ai është Biri i më të Lartit, është unik dhe i vetmi Bir i Perëndisë. Ai është “hyjnia i trupëzuar”, siç na thuhet tek Kolosianëve 2:9, “sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.”

Kështu u frymëzua të shkruante edhe apostulli Pal. Apostulli Pal na thotë se Ai që erdhi ishte Bir i Perëndisë. Në pasazhin tonë, Pali na tregon se përse erdhi Jezusi: Galatasve 4:5, “që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.” “Shpengimi” këtu do të thotë të na çlironte duke paguar një çmim. Jezusi na bëri të lirë nga prangat e Santanit, nga mëkati dhe nga vdekja e përjetshme. Ai pagoi çmimin. Shpëtimi është falas për të gjithë ne, por Jezusi pagoi çmimin me trupin dhe gjakun e Tij në kryq. Ai u varros, por nuk mbeti në varr. Ai u ringjall nga vdekja pas tri ditësh dhe tri netësh. Vdekja dhe ringjallja e Jezusit janë thelbi, zemra e mesazhit të ungjllit. Krishti na bleu për të na bërë bij dhe bija të familjes së Perëndisë. Duke këmbëngulur në besim ne bëhemi bij dhe bija të Perëndisë. Dënimi ynë na është hequr. Ne duhet te dimë që me mbushjen e kohës, Ati Perëndi do të dërojë Birin e Tij, për herë të dytë, për të marrë kishën e Tij.

Të dashur dëgjues a jeni gati? A jeni në Krishtin Jezus? A e keni pranuar me besim? A besoni që Ai është Krishti, që është Zoti? A besoni që Ai është Bir i Perëndisë? A besoni që Ai është Shpëtimtari ynë? Pendohuni për mëkatet tuaja, largohuni nga mëkati, kërkojini Perëndisë t’ju falë për mëkatet tuaja. Le të jetë kjo e vërtetë për të gjithë ju!


Opinionet e Lexuesve

Lini një Koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e nevojshme janë të shënuara me *


Continue reading

Radio Emanuel

Mbaje Shpirtin Tënd Zgjuar

Current track
TITLE
ARTIST