Pavdekësia

Krijuar nga në 01/11/2019

Pavdekësia. Njerëzit përpiqen gjithmonë të jetojnë  sa më gjatë, të jenë të shëndetshëm për shumë vite. Po sikur të kesh mundësi të zgjatësh jetën?

Një film i famshëm i vitit 2002, flet për një vajzë adoleshente qe takohet me një djalë, që mendon se është i moshës së saj, por në fakt ai i tregon se është 180 vjeç. Ai i tregoi për  një burim uji që buronte nga trungu i një peme. Ai kishte pirë nga ky ujë për shumë vite dhe tani nuk mund të vdiste. Ai ndërvepronte me të vdekshmit që jetojnë një jetë normale, por ai vetë është i bekuar, ose i malkuar, të jetojë përgjithmonë si një adoleshent në tokë.

Filmi flet për çështjen e jetës së përjetshme, por flet për të duke iu referuar të jetuarit në përjetësi në tokë, në gjendjen që jemi tani. Sipas mendimit tim, ky do të ishte një mallkim. Unë jam në favor të jetës së përjetshme, por vetëm nëse kjo jetë është në Parajsë, një mjedis i përsosur, ku ne do të kemi trupa të përsosur dhe do të jetojmë përgjithmonë me Perëndinë tonë të përsosur dhe me Shpëtimtarin tonë Jezus Krisht.

Bibla na tregon se “në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.” (Psalmi 139:16). Pra, Perëndia e di me saktësi se kur, ku dhe se si do të vdesim. Perendia di çdo gjë rreth nesh (Psalmet 139:1-6).

Kur Bibla na flet për jetën e përjetshme, ajo i referohet dhuratës së Perëndisë që vjen vetëm “përmes Jezus Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 6:23).  Kjo dhuratë është në kontrast me vdekjen, që ndodh si pasojë e mëkatit.

Dhurata e jetës së përjetshme vjen për ata që besojnë tek Jezus Krishti, që është “ringjallja dhe jeta” (Gjoni11:25).  Fakti që kjo jetë është e përjetshme na tregon se është jetë e vazhdueshme, vazhdon pa mbarim.

Megjithatë është gabim ta konsiderosh jetën e përjetshme si nje progresion të pafundëm të viteve. Një fjalë që përdoret shpesh në Testamentin e Ri për fjalën “e përjetshme” na përçon idenë e cilësisë, por edhe të sasisë. Në fakt, jeta e përjetshme nuk lidhet me “vitet”, është e pavarur nga koha. Jeta e përjetshme mund të funksionojë jashtë dhe përtej kohës, po ashtu edhe brenda kohës.

Për këtë arsye, jeta e përjetshme mund të mendohet si diçka që të krishterët përjetojnë tani. Besimtarët nuk duhet të presin për jetën e përjetshme, sepse nuk është diçka  që fillon kur vdes. Por, jeta e përjetshme fillon në momentin kur një person ushtron besimin në Krishtin. Është diçka që e kemi tani. Gjoni 3:36 thotë, “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.” Vini re, besimtari “ka” jetë (folja është në të tashmen edhe në versionin greqisht). Referenca të së tashmes gjejmë edhe tek Gjoni 5:24 dhe Gjoni 6:47.

Bibla e lidh jetën e përjetshme me Personin e Jezus Krishtit. Gjoni 17:3 është një pasazh i rëndësishëm. Jezusi lutet duke thënë, “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”

Këtu, Jezui e barazon “jetën e përjetshme” me njohjen e Perëndisë dhe të Birit. Nuk mund të njohësh Perëndinë pa njohur Birin, sepse nëpërmjet Birit,  Ati u zbulon Veten të zgjedhurve (Gjoni 17: 6, 14: 9).

Njohuria jetëdhënëse e Atit dhe e Birit është një njohje e vërtetë dhe personale, jo një dije akademike. Në Ditën e Gjykimit do të ketë të vetëshpallur si ndjekës të Krishtit, por që kurrë nuk kanë pasur një marrëdhënie të vërtetë me Të. Këtyre rrëfyesve të rremë, Jezusi do t’ju thotë, “Nuk ju kam njohur kurrë. Larg meje, ju keqbërës!” (Mateu 7:23).  Apostilli Pal e kishte objektiv të njihte Zotin dhe këtë njohuri e lidhte me ringjalljen prej së vdekurish. “Që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.” (Filipianëve3:10–11).

Tani, çdo mëkatar, përderisa ne të gjithë jemi mëkatarë, besoj që këtu bëni pjesë edhe JU, është i ftuar të njohë Krishtin dhe të marrë jetën e përjetshme: “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!.” Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!.” Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.” (Zbulesa 22:17).

Nga mund ta dini që keni jetë të përjetshme? Së pari, rrëfeni mëkatin tuaj para Zotit të shenjtë. Pranoni Shpëtimtarin e Perëndisë. “ Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.” (Romakëve 10:13). Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim. Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote. (Veprat e Apostujve 16:31; Romakëve 10:9 –10).

Gjoni e thotë shumë thjeshtë: “Dhe dëshmia është kjo: Perëndia na dha jetën e përjetshme dhe kjo jetë është në Birin e tij. Ai që ka Birin, ka jetën; ai që nuk ka Birin e Perëndisë, nuk ka jetën.” (1 Gjoni 5:11–12).

A e dini me siguri që ju keni jetë të përjetshme dhe se do të shkoni në Parajsë kur të vdisni? Perëndia dëshiron që ti të jesh i sigurt! Bibla thotë: «Ju shkruaj këto gjëra ju që besoni në emrin e Birit të Perëndisë, që të dini se keni jetë të përjetshme» (1 Gjonit 5:13). Le të supozojmë se po qëndroni tani përpara Perëndisë dhe Ai të pyet: “Pse duhet të të lë në Parajsë?” Çfarë do t’i thonit? Ajo që ju duhet të dini është se Perëndia na do dhe ka siguruar një rrugë që ne mund ta dimë me siguri  se ku do të kalojmë përjetësinë. Bibla thotë : «Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëm, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme» (Gjoni 3:16).

Së pari, duhet të kuptojmë problemin që na mban larg nga Parajsa. Problemi është: natyra jonë mëkatarë na mban larg një marrëdhënieje me Perëndinë. Ne jemi mëkatarë për shkak të natyrës që kemi dhe zgjedhjeve që bëjmë. “ Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë. Ne nuk mund të shpëtojmë veten tonë. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush.” (Efesianëve2:8-9). Ne meritojmë vdekjen dhe ferrin. “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23).

Perëndia është i shenjtë dhe i drejtë dhe duhet të dënojë mëkatin, megjithatë, Ai na do dhe ka siguruar faljen për mëkatin tonë. Jezui tha: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje“(Gjoni 14: 6). Jezusi vdiq në kryq për ne: “Sepse Krishti vdiq për mëkatet një herë e përgjithmonë, i drejti për të padrejtët për të na çuar te Perëndia” (1 Pjetrit 3:18). Jezui u ringjall prej së vdekurish: “ I cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.” (Romakëve 4:25).

Pra,  lë të kthehemi në pyetjen fillestare – “Si mund ta di me siguri që unë do të shkoj në Parajsë kur të vdes?” Përgjigja është kjo: Besoni në Zotin Jezus Krisht dhe do të shpëtoheni (Veprat e Apostujve 16:31). “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij. (Gjoni 1:12). Ju mund të merrni jetën e përjetshme si një dhuratë falas. “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 6:23). Ju mund të jetoni një jetë të plotë dhe kuptimplote tani. Jezui tha: “Unë kam ardhur që të keni jetë, jetë me bollëk”(Gjoni 10:10). Ju mund ta kaloni përjetësinë me Jezusin në Parajsë, sepse Ai premtoi: “Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.” (Gjoni 14: 3 ).

Nëse doni ta pranoni Jezus Krishtin si Shpëtimtarin tuaj dhe të merrni falje nga Perëndia, kjo është lutja që mund të bëni. Kjo lutje, apo ndonjë lutje tjetër nuk ju shpëton. Vetëm besimi tek Jezus Krishti mund të sigurojë faljen e mëkateve. Kjo lutje është thjesht një mënyrë për t’i shprehur Perëndisë besimin tuaj në Të dhe ta falenderoni që ka siguruar faljen tuaj. “Zot, unë e di se kam mëkatuar kundër Teje dhe meritoj ndëshkimin. Por Jezus Krishti mori dënimin që unë e meritoj, që me anë të besimit tek Ai unë të marr faljen. Unë besoj tek Ti për shpëtimin tim! Të falenderoj për hirin dhe për faljen Tënde të mrekullueshme! Amen!


Opinionet e Lexuesve

Lini një Koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e nevojshme janë të shënuara me *


Radio Emanuel

Mbaje Shpirtin Tënd Zgjuar

Current track
TITLE
ARTIST