Virgjëresha e re e Galilesë

Krijuar nga në 11/12/2019

Për Gabrielin ishte një kohë shumë e zënë me punë nëse mund ta themi këtë gjë për engjëjt; kjo për shkak se nuk e dimë nëse ata e perceptojnë kohën ashtu si ne. Gjithsesi, Gabrieli u dërgua në një mision tjetër. Vetëm disa muaj më parë Gabrieli ishte dërguar në Tempullin e Perëndisë në Jerusalem. Tempulli ishte qendra e gjithë jetës së Izraelit duke përfaqësuar të gjitha shpresat fetare dhe politike. Ky tempull ishte në qytetin e Davidit dhe Judenjtë besonin që ky ishte vendi ku Perëndia banonte mbi tokë.

Gabrieli sapo kishte vizituar një prift të moshuar me emrin Zakaria, i cili po vendoste temjan mbi altarin në Vendin e Shenjtë. Gabrieli i zbuloi Zakarias që lutjet e tij dhe ato të bashkëshortes së tij ishin dëgjuar me të vërtetë prej Perëndisë. Perëndia do t’jua plotësonte kërkesën e tyre dhe do t’ju jepte një fëmijë. Por Perëndia do të bënte shumë më tepër. Ky fëmijë do ishte shumë i veçantë. Fryma e Perëndisë do banonte në të qysh në barkun e nënës së tij. Ai do rritej si një Nazareo, një person plotësisht i kushtuar Zotit. Ai do të ishte një profet i Zotit. Ai do ta kthente kombin sërish tek Perëndia. Ai do të përgatiste udhën për Mesian!

Tani që Elizabeta ishte pesë muaj shtatzënë dhe mjaft krenare për këtë gjë, kjo pjesë e misterit të mrekullueshëm të Perëndisë ishte duke u shpalosur. Tani Gabrieli ishte sërish duke shkuar në Izrael. Kësaj here nuk po shkonte në Jerusalem, në kryeqytet, por në një fshat të vogël 100 kilometra në veri, në Nazaret.

Nazareti ishte një vend jo shumë i famshëm. Njerëzit do zgjidhnin të vizitonin Seforisin, një orë më larg, i cili ishte kryeqyteti i Galilesë ku gjendej amfiteatri i ndërtuar prej Herodit. Por Perëndia nuk e dërgoi Gabrielin atje. Ai e dërgoi tek një fshat i vogël me 200 banorë dhe në shtëpinë e një vajze të re Judease të quajtur Mari. Ajo ishte vajzë e devotshme. Ajo e njihte Fjalën e Zotit dhe i njihte historitë dhe shpresat e popullit të saj. Ajo ishte gjithashtu e bukur dhe ishte fejuar me një djalë të ri, një marangoz të quajtur Jozef.

Gabrieli shkoi tek ajo dhe i tha, “Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty.”

Maria u kthye nga ai dhe po e shihte. Kush ishte ky burrë? Si mundi të hynte brenda? U ndje e frikësuar por nuk ishte një frikë e keqe. Ishte e trëmbuar për shkak se e dinte që ai ishte një burrë i pushtetshëm, por nuk kishte frikë për shkak se ndjeu që ai ishte i shenjtë dhe kishte ardhur prej Perëndisë. Çfarë kuptimi kishte kjo, hirplotë? Pse i tha, “Zoti është me ty.”

Ajo besonte që Perëndia ishte me popullin e saj, por mendja e saj i shkoi tek historitë e lashta kur engjëlli i Zotit iu shfaq heronjve të besimit dhe u tha fjalë të ngjashme. Ky ishte gjithmonë një sinjal që Perëndia ishte gati të bënte diçka madhështore. Pse po ia thoshte engjëlli asaj këto fjalë? A do t’i kërkonte Perëndia që të bënte diçka të veçantë? Çfarë po bënte Perëndia? Maria po i mendonte këto gjëra dhe ishte shumë e ngatërruar, pastaj po e zinte frika gjë e cila tregohej në fytyrën e saj por Gabrieli i tha:

“Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vesh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.”

Çfarë kishte për Marinë në këto momente fillestare që do t’ia ndryshonte jetën përgjithmonë, momente këto që në të vërtetë do ndryshonin gjithë botën. Një engjëll i ishte shfaqur, i tha që ajo kishte gjetur hir dhe që Perëndia ishte me të, jo në një mënyrë të përgjithshme ashtu si e përjeton populli i Perëndisë çdo ditë por në një mënyrë të veçantë për të bërë diçka madhështore. Pastaj ai tha që ajo do ishte nëna e Mesias dhe sërish që kishte gjetur hir para Perëndisë.

A e dini çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që nëse Maria gjeti hir, atëherë do të thotë që po kërkonte! A po kërkoni ju hir? A po kërkoni favorin apo hirin e Perëndisë? Po mendoj për vargjet nga Fjalët e Urta 2 kur Mbreti Salomon i tha birit të tij të kërkonte urtësinë. Dëgjojini këto fjalë:

Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

Kjo ishte e vërtetë për kërkimin e urtësisë. Ishte e vërtetë edhe për ata që po kërkonin favorin e Perëndisë. Maria nuk po kërkonte favorin e njerëzve, por dëshironte bekimin e Perëndisë në jetën e saj. Si do të dukej favori i Perëndisë për një vajzë të re Judease në atë kohë? Do dukej si një vajzë e re që kërkonte të ishte një grua e perëndishme. Do dukej si një vajzë e re e perëndishme që dëshironte të ishte bashkëshorte e mirë për burrin e saj të perëndishëm. Do të dukej si një bashkëshorte e re dhe e perëndishme që dëshironte të ishte një nënë në Izrael që kujdesej për të vegjlit e saj në mënyrë që t’i udhëhiqte në udhët e Zotit. Po, Maria kishte qenë duke kërkuar favorin e Perëndisë në jetën e saj, por ajo nuk do ta kishte idenë sa bujarisht do ta shpërblente Perëndia kërkimin e saj.

Kjo pasi engjëlli Gabriel i tha, “ti ke gjetur hir me Perëndinë,” pastaj i tregoi lajmin e gëzuar dhe të pakonceptueshëm,

  • Ajo duke qenë e virgjër do ngelej shtatzënë.
  • Perëndia do t’i vendoste një emër djalit të saj që do tregonte marrëdhënien e veçantë mes Perëndisë dhe djalit të saj.
  • Fëmija i saj do ishte i veçantë.
  • Ai do ishte Biri i Perëndisë Shumë të Lartit.
  • Zoti do t’i jepte fronin e Davidit.
  • Ai do mbretëronte mbi Izraelin dhe mbretëri e tij nuk do kishte të sosur.

Por sado të mëdha që ishin këto bekime kishte diçka që e shqetësonte Marinë. Si mund të lindte një fëmijë ajo kur ishte e virgjër? Prandaj pyeti, “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”.

Engjëlli Gabriel kishte dëgjuar një pyetje të tillë më parë. Pesë muaj më parë kur Gabrieli i tha Zakarias që ai dhe bashkëshortja e tij e moshuar do lindnin një fëmijë, Zakaria kishte bërë të njëjtën pyetje, “Si do të ndodhë kjo?” Por kishte një ndryshim. Zakaria dhe Elizabeta ishin të martuar dhe i dinin historitë e besimit të tyre kur Perëndia i dha Abrahamit plak dhe gruas së tij të moshuar, Sarës një bir në moshë të shkuar. Nëse Perëndia e kishte bërë këtë gjë për ta mund ta bënte edhe për Zakarian dhe Elizabetën. Zakaria nuk kishte ndonjë justifikim për mosbesimin e tij.

Por rasti i Marisë ishte ndryshe. Kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Duke qenë e re, e pastër dhe e pafajshme e vrau mendjen sesi ajo një virgjëreshë e dlirë as që nuk i shkonte në mend qoftë edhe dukja e imoralitetit; ajo do të ngelej shtatzënë, prandaj me pastërti dhe pafajësi pyeti, “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”.

Gabrieli e dinte ndryshimin mes pyetjes së saj dhe asaj të Zakarias. Pyetja e tij lindi prej mosbesimit. Pyetja e saj lindi prej pastërtisë prandaj ai i tha,

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë. Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë, sepse me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”.

Ky lajm ishte marramendës për Marinë. Tani kishte marrë përgjigje. Perëndia do ta aftësonte që të ngelej shtatzënë, jo në një mënyrë pagane imorale ashtu si ndodhte me perënditë e Grekëve për të cilët kishte dëgjuar nga udhëtarët që kalonin përmes fshatit të tyre dhe nga njerëzit në Seforim që zakonisht kalonin nga Nazareti, por Fryma e Shenjtë, fuqia e Perëndisë do të vinte mbi të – i njëjti Frymë që qëndronte mbi ujërat e krijimit dhe në mënyrë të mrekullueshme solli jetë në një botë të re, i njëjti Frymë do ta mbulonte atë, do sillte jetë në barkun e saj në mënyrë që prej saj të lindte në mënyrë të mrekullueshme një fëmijë.

Edhe Elizabeta ishte shtatzënë. Oh sa shumë që e donte Elizabetën. Ajo ishte si një nënë e dytë për të dhe kur Maria ishte mjaft e rritur për të kuptuar natyrën e jetës u trishtua që kushërira e saj nuk kishte lindur fëmijë por tani Elizabeta do të lindte! Po! Asgjë nuk ishte e pamundur me Perëndinë. Po! Perëndia i kishte dhënë një favor të veçantë!

Maria u përul para engjëllit dhe tha, “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”. Gabrieli e pa këtë vajzë të re dhe u mrekullua prej besimit dhe përulësisë së saj. Ajo nuk e kuptoi plotësisht që përpara do kishte ditë të vështira, por ai ishte i kënaqur me reagimin e saj. Po, Zoti i saj, Krijuesi i të gjithëve kishte bërë zgjedhje me mend. Nuk mund të gjendej një grua më e mirë se virgjëresha Mari në këtë fshat të panjohur. Ajo do ishte një nënë e përshtatshme për mbretin.

Maria ngriti sytë lart dhe pa që engjëlli ishte larguar. Ajo shkoi tek nëna dhe babai i saj dhe u tha, “Mami, babi, Elizabeta është shtatzënë!” Prindërit e saj i thanë, “Po, e dimë, sapo dëgjuam, po ti nga e di?” Por Maria e injoroi pyetjen dhe u tha, “Duhet të shkoj ta takoj. A mund të planifikojmë një udhëtim për të shkuar tek ajo dhe të gëzohemi bashkë me të?” Prindërit e saj i thanë, “Edhe ne po mendojmë të njëjtën gjë!”

Maria shkoi në dhomën e saj për t’u përgatitur. Prindërit e saj panë njëri-tjetrin dhe po vrisnin mendjen, “Nga e dinte Maria këtë gjë? Çfarë dinte tjetër Maria dhe nuk po ua tregonte?” Pas disa ditësh Maria dhe disa të tjerë nga fshati dhe familja e saj nisën udhëtimin nga Nazareti i Galilesë drejt malësisë së Judës tek shtëpia e të afërmëve të tyre, Zakarias dhe Elizabetës.


Opinionet e Lexuesve

Lini një Koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e nevojshme janë të shënuara me *


Radio Emanuel

Mbaje Shpirtin Tënd Zgjuar

Current track
TITLE
ARTIST