Trishtimi dimëror “Armiku” i (pa)njohur i humorit!

0
288

Në ditë, me rënien e temperaturave dhe mëngjeset e vrenjtura, shtrati juaj i ngrohtë ju duket i vetmi vend ku do të donit të ishit, por mos u shqetësoni.

Janë të shumtë ata që e përjetojnë këtë gjendje në stinën e dimrit. Mirëpo, ndërsa në shumicën e rasteve kjo ulje e ritmeve është normale, në raste të tjera mund të jetë shenjë e Çrregullimit Afektiv Stinor (ÇAS), i cili në stinën e dimrit shfaqet në formën e trishtimit dimëror.

Gjithsesi, duhet të dini se ÇAS-i është një shqetësim kalimtar dhe me pak përpjekje, mund të riktheheni në ritmet tuaja normale.

 

Çfarë është trishtimi dimëror (winter blues)

Trishtimi dimëror. Një lloj depresioni që në Hemisferën Veriore ndodh pikërisht në stinën e dimrit. Zakonisht mund të fillojë në vitet e adoleshencës (nuk përjashtohen fëmijët) ose edhe në moshën e rritur dhe prek më shumë gratë sesa burrat. Madje, sipas studimeve të ndryshme, gratë e përjetojnë më fort trishtimin dimëror, kur janë tek të tridhjetat. Më pas, me kalimin e viteve, simptomat zbehen. Personat që përjetojnë trishtimin dimëror ndiejnë humbje të energjisë, të interesit dhe të përqendrimit, dëshirë për të fjetur më gjatë dhe për të qendruar vetëm, lodhje, shtim të oreksit dhe urisë, etj. Më të rrezikuar janë personat që jetojnë në vendet me dimër të gjatë dhe ekspozohen më pak ndaj diellit. Simptomat shfaqen gradualisht në muajt e fundit të vjeshtës dhe fillimin e muajve të dimrit.

Trishtimi dimëror është karakteristik për vendet nordike, Britaninë e Madhe, Amerikën e Veriut, etj., ku ekspozimi ndaj dritës së diellit është më i paktë e shpeshherë i mangët. Sipas të dhënave, këto vende numërojnë përqindjen më të lartë të të prekurve prej tij.   Sipas psikologes Efigena Kabili, fakti që kjo formë depresioni është më e rrallë dhe e përcaktuar në kohë, nuk do të thotë se duhet anashkaluar apo lënë pas dore, pasi shpesh trishtimi dimëror mund të shoqërohet nga episode depresive madhore, ku mërzitja dhe humbja e interesit apo kënaqësisë janë më të forta dhe ndikojnë dukshëm në funksionimin dhe aktivitetin e përditshëm të njeriut.

Nga se shkaktohet trishtimi dimëror? Pjesa më e madhe e studiuesve besojnë se problemi lidhet pikërisht me këtë, pra me mënyrën se si trupi reagon ndaj dritës së diellit. Drita, e cila depërton përmes syrit, shkakton ndryshime në nivelet hormonale të trupit. Ajo shërben për të ndaluar apo frenuar prodhimin e hormonit të quajtur Melatonin (të njohur ndryshe si hormoni i gjumit), duke nxitur kështu zgjimin. Ndaj, kur ajo pakësohet, zgjimi bëhet gjithnjë dhe më i vështirë, duke shkaktuar letargji dhe simptoma të depresionit. Pakësimi i dritës së diellit, duke çrregulluar ciklin gjumë-zgjim, bllokon në të njëjtën kohë prodhimin e serotoninës, hormonit përgjegjës për humorin. Stresi është një faktor tjetër i rëndësishëm.

Ku mund të drejtoheni?

Sipas psikologes Kabili, rastet me trishtim dimëror në vendin tonë janë të rralla, pasi Shqipëria karakterizohet nga një dimër relativisht i shkurtër dhe shumë orë me diell. Megjithatë, nëse vini re te vetja ndonjë nga simptomat e përshkruara më lart, duhet të drejtoheni te mjeku i familjes, psikologu ose psikiatri.

Simptomat e trishtimit dimëror

≈ Të ndjerët i pashpresë

≈ Shtim i oreksit, që shoqërohet me shtim në peshë (në format e tjera të depresionit është më e zakonshme humbja e oreksit dhe, rrjedhimisht peshës)

≈ Dëshirë e shtuar për gjëra të ëmbla

≈ Dëshirë e shtuar për të fjetur gjatë orareve të ditës (pakësimi i gjumit është tipik për format e tjera të depresionit)

≈ Ulje e energjive dhe aftësisë për t`u përqendruar

≈ Humbje e interesit për punën apo për aktivitete të tjera

≈ Ngadalësim motorik apo ngathtësi

≈ Tërheqje nga aktivitetet sociale

≈ Mungesë e lumturisë

≈ Acarim

≈ Ankth

≈ Dhimbje koke

≈ Humbje e dëshirës për aktivitete fizike

Simptomat vijnë e ikin çdo vit afërsisht në të njëjtën periudhë, në hyrje e dalje të dimrit. Fillojnë pak a shumë në muajt shtator ose tetor dhe përfundojnë në prill ose maj.

Sa stinor jeni?  

Për të arritur në një përfundim, evidentoni ndryshimet në sjelljen dhe humorin tuaj përgjatë vitit, duke analizuar karakteristikat tuaja dhe jo ato që mund të keni vënë re tek të tjerët. Mundohuni ta shtrini eksperiencën tuaj, duke përfshirë tre vitet e fundit dhe referojuni qëndrimit në të njëjtin vend (shtet apo qytet) e jo në vende të ndryshme:

  1. Nëse ndryshimet në humor, peshë, kohëzgjatjen e gjumit dhe sasinë e të ngrënit janë vërtet të ndjeshme përgjatë vitit, do të thotë se ndërrimi i stinëve nuk kalon pa u ndjerë tek ju.
  2. Nëse ndiheni më keq, hani më shumë, flini më shumë dhe shtoni më shumë në peshë (mbi 5 kg) në muajt dhjetor, janar, shkurt, atëherë jeni më i ekspozuar ndaj trishtimit dimëror. Kjo do të thotë gjithashtu se vera është stina, gjatë të cilës ju ndjeheni më mirë dhe më i shoqërueshëm. Asgjë nuk mund të krahasohet me verën.
  3. Nëse ndjeheni më keq në muajt korrik apo gusht, jeni tipi i trishtimit veror. Këta të fundit, ndryshe nga të prekurit prej trishtimit dimëror, nuk janë të prirur të hanë apo flenë më shumë gjatë muajve të kësaj stine.
  4. Nëse ndjeheni keq si gjatë muajve të verës, ashtu edhe të dimrit, atëherë jeni i prirur të prekeni si nga trishtimi dimëror, ashtu dhe nga ai veror.
  5. Nëse mund të hani, flini apo shtoni më shumë në peshë gjatë muajve të dimrit, por pa ndjerë ndryshime të theksuara emocionale me ndërrimin e stinëve, atëherë s`keni të bëni me trishtimin dimëror.

Lidhja midis trishtimit dimëror dhe gjenive Sipas Aristotelit, “gjenialiteti vjen gjithmonë i shoqëruar me pak çmenduri” dhe, po sipas tij, “Emrat më të mëdhenj në filozofi, poezi apo arte janë të prirur drejt melankolisë”. Por vetëm në shekullin tonë do të studioheshin dhe gjendeshin lidhjet ndërmjet kreativitetit dhe çrregullimeve stinore të humorit: Me përmirësimin e humorit, bie prodhimtaria, euforia nuk të krijon kushte optimale për krijimtari, me shumë gjasa, idetë rrjedhin lumë, por asnjë prej tyre nuk vihet në zbatim. Në verë prodhimtaria krijuese është më e ulët se në vjeshtë apo dimër. Duke u bazuar në temat e veprave të tyre apo korrespondecën e tyre me miqtë, mendohet se shumë prej “të mëdhenjve” të letërsisë, politikës apo arteve” gjatë jetës kanë vuajtur nga çrregullimet stinore. Të tillë mendohet të kenë qenë Michelangelo, Van Gogh, Haendel, Mahler, Schumann, John Milton, Edgar Allan Poe, Ernest Hemingway, Emily Dickinson, T.S. Eliot, Abraham Lincoln, Winston Churchill, etj.

 

Çfarë mund të bëni për të mposhtur trishtimin dimëror?

Çfarë e dallon trishtimin dimëror nga depresioni jostinor?

Shpesh është e vështirë të bësh dallimin midis trishtimit dimëror dhe depresionit jostinor, pasi pjesa më e madhe e simptomave është e njëjtë për të dyja rastet. Për të bërë një diagnozë më të saktë, duhet ditur:

+ Nëse personi është ndjerë depresiv në të njëjtën stinë dhe është përmirësuar me ndërrimin e stinëve, për të paktën dy vjet rresht.

+ Ka prani të simptomave karakteristike të trishtimi dimëror, si shtim të oreksit, shtim peshe dhe gjumë të tepruar, më shumë se zakonisht.

+ Nëse dikush tjetër në familje ka vuajtur nga trishtimi dimëror apo forma të tjera të depresionit. Duhet të besoni seriozisht në shprehjen “Ku hyn dielli, nuk hyn mjeku”!

+ Hapni grilat apo perdet sapo zgjoheni në mëngjes, në mënyrë që të lejoni dritën e diellit të hyjë në shtëpi. Dilni në natyrë sa më shumë që të keni mundësi. Edhe një shëtitje në drekë do të kishte efekt shumë pozitiv. Ndriçoni dhe ajrosni sa më shumë shtëpinë apo mjedisin ku jetoni.

+ Shtoni vitaminën D! Pakësimi i dritës së diellit do të thotë më pak vitaminë D, çka rrit ndjesinë e lodhjes. Dielli është burimi kryesor për këtë vitaminë, por kur ai nuk është në dozat e duhura, do t`ju duhet ta plotësoni nëpërmjet ushqimit. Ushqimet më të pasura me vitaminë D janë salmoni, sardelet, karkalecat e detit, vezët, mishi, etj.

+ Bëni gjumë të rregullt Në dimër nuk na duhet më shumë gjumë se në verë. Përgjumja që ndiejmë nuk do të thotë se duhet të flemë më shumë, madje në shumicën e rasteve, gjumi i tepërt mund të na bëjë të ndjehemi më të lodhur. E rëndësishme është që të bëjmë një gjumë të qetë e të rregullt, të flemë e të zgjohemi çdo ditë në të njëtën orë e të largojmë nga dhoma ku flemë gjithçka që mund të ndikojë në shtyrjen e orarit apo në gjumin e shqetësuar (televizioni, hapja e facebook-ut në celular apo laptop gjatë kohës që jeni në shtrat, etj).

+ Qëndroni aktiv Edhe pse ushtrimet fizike janë gjëja e fundit që do t`ju shkonte ndërmend për të bërë në një pasdite dimërore, duhet të dini se ato sigurisht që do t`ju bënin të ndiheshit më energjik. Mundohuni të bëni aktivitet fizik të përditshëm. Idealja do të ishte të arrinit standardin e rekomanduar prej 150 minutash në javë.

+ Gjeni një hobi të ri Një interes i ri do të thotë një mendje aktive dhe kjo do t`ju mbante larg trishtimit dimëror. Mund të jetë gjithçka, pjesë e aktivitetit fizik apo jo. Nëse çdo vit shkoni në palestër, këtë vit mund të merreni me një hobi të ri, si p.sh., me yoga, zumba, kurs vallëzimi, pishina dimërore, arte marciale, etj. Ose bëhuni fans i ndonjë faqeje realisht aktive apo, pse jo, hapni një blog tuajin. E rëndësishme është të keni diçka që mezi e prisni dhe tek e cila, të përqendroheni.

+ Qëndroni larg stresit Duhet të mbaroni çdo gjë ende pa u errur, pasi tani erret shpejt dhe koha nuk mjafton… kjo shndërrohet në stres. Dhe është provuar tashmë se stresi të bën të ndjehesh edhe më i lodhur, ndaj mundohuni t`i merrni “sa më me qetësi” situatat e vështira në të cilat mund të ndodheni, në mënyrë që të menaxhoni sa më mirë stresin. Nuk është e thënë t`i mbyllni vetë të gjitha punët apo detyrat, prandaj delegojini ato tek kolegët apo pjesëtarët e tjerë të familjes.

+ Hani në mënyrën e duhur Me largimin e verës, na vjen natyrshëm t`u shmangemi sallatave e të konsumojmë më tepër patate, makorona apo bukë. Zëvendësimi i këtyre karbohidrateve me perime apo fruta te stinës (por jo banane), jo vetëm na jep energji e na përmirëson humorin, por na ruan edhe nga kilogramët e tepërt që shtojmë gjithmonë në dimër. Mundohuni gjithashtu të mos konsumoni shumë të ëmbla.

+ Qëndroni ngrohtë Është provuar tashmë se i ftohti na “depresionon”, ndërsa i ngrohti mund ta përgjysmojë trishtimin dimëror. Mundohuni të qëndroni në mjedise të ngrohta, konsumoni pije apo ushqime të ngrohta dhe mos neglizhoni veshjen. Rrobat dhe këpucët që ju mbajnë ngrohtë, do t`ju bëjnë të ndjeheni më mirë.

+ Mos rrini vetëm Dimri nuk duhet t`ju mbyllë në shtëpi. Edhe pse në shumicën e rasteve do t’ju pëlqente të qëndronit rehat, shtrirë në divanin apo shtratin tuaj dhe duke parë televizor, përpiquni të takoni me miqtë dhe familjarët apo të bëheni pjesë e aktiviteteve të ndryshme. Kjo do t`ju shkundte nga plogështia e do t`ju bënte të ndiheshit më në formë.

+ Vazhdoni të përpiqeni Secili prej nesh e përjeton trishtimin dimëror në mënyrë të ndryshme nga tjetri. Ajo që vlen për dikë mund të jetë e padobishme për dikë tjetër dhe anasjelltas. Sipas specialistëve, nëse një këshillë nuk funksionon, nuk do të thotë kurrsesi se duhet të hiqni dorë.

NO COMMENTS