I thyer

Krijuar nga në 14/09/2022

Shpëtimi i vërtetë në Jezu Krisht kërkon rrëfim të mëkatit, ose të shkeljes, pendim, ose ndryshim të mendjes, zemrës dhe qëndrimit ndaj jetës me Perëndinë. Por para se të ndodhë kjo, ne duhet të përgatisim zemrën tonë në lidhje me mëkatin dhe jetën tonë, ndërsa qëndrojmë të ekspozuar shpirtërisht para Perëndisë. Duhet të analizojmë jetën tonë, të ndiejmë trishtim për mëkatin e kryer, para se të merrnim faljen e Jezu Krishtit.

Në krishterim, ky lloj trishtimi që ndiejmë për të shkuarën, është trishtim i perëndishëm për mëkatet e bëra. Personi që ndien keqardhje thuhet se është i penduar. Kjo është ajo që unë doja të thoja më herët kur thashë se ky lloj trishtimi mund të jetë një gjë e mirë.  Askush nuk dëshiron shpëtimin në Krishtin, për sa kohë që nuk kupton se ka nevojë për të. Kjo nuk ndodh për sa kohë që nuk kuptojnë se sa të shthurur janë në zemrën e tyre dhe se janë plotësisht të këqij, edhe nëse nuk kanë kryer akte mëkatare të tmerrshme. Në kalbjen e zemrave të tyre mëkatare, nuk ka asnjë kufizim për të keqen që ata mund të bënin sipas rrethanave të jetës.

Në fakt, keqardhja konsiderohet si hapi i parë, përmes Krishtit, drejt pajtimit me Zotin.  Ne pendohemi për të gjitha mëkatet dhe lind dëshira për të qenë me Perëndinë, jo për të mëkatuar dhe besojmë në shpengimin e Krishtit në kryq dhe mjaftueshmërinë e Tij për shpëtim.

Predikuesi puritan Tomas Huker e përkufizoi këtë lloj trishtimi si:  “Çastin kur një mëkatar duke parë mëkatin dhe poshtërsinë e tij dhe ndëshkimin  që duhet të marrë për shkak të tij, bëhet i ndjeshëm ndaj mëkatit dhe fillon ta urrejë, e largon zemrën e tij nga mëkati”.

Rektori anglo-katolik i Kishës së Shën Markut në Filadelfia,  Alfred Garnet Mortimer, vuri në dukje se “ndjenjat” nuk janë një matës i përshtatshëm i keqardhjes. Shenjat e keqardhjes së vërtetë janë një gatishmëri për të rrëfyer, një gatishmëri për të ndryshuar jetën tonë, për të shmangur tundimin dhe një gatishmëri për të falur të tjerët.

Bibla flet shpesh herë për një zemër të penduar. Në Isaia 66: 2, Zoti thotë, “Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.” Dhe në Psalmin 51:17, Davidi shkruan, “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.” Fryma e penduar i pëlqen Zotit dhe lidhet me përulësinë, thyerjen dhe një frikë të shëndetshme ndaj Fjalës së Zotit.

Ne duhet të përfytyrojmë një ndërgjegjeje që shtypet nga pesha e fajit. Kjo është një frymë njerëzore që pushon së justifikuari zgjedhjet e saj të gabuara, kupton thellësinë e shthurjes së saj dhe pranon me përulësi që Zoti me të drejtë e dënon mëkatin dhe ne ndiejmë trishtim.

Një zemër e penduar nuk nxjerr justifikime dhe nuk ia hedh fajin dikujt tjetër.  Ajo pajtohet plotësisht me Zotin se sa e keqe është. Një zemër e penduar dorëzohet në mëshirën e Zotit, duke e ditur se nuk meriton asgjë përveç zemërimit të drejtë të Tij (Isaia 6: 5; Psalmi 41: 4).

Çasti kur fryma jonë thyhet është i bekuar. “Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i “Shenjti”: “Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.” (Isaia 57:15). Të penduarve u premtohet një vendbanim me Perëndinë. Zemrat e tyre të thyera do të ripërtërihen.

Jezusi ilustron se si duket një zemër e penduar te Lluka 18: 10–14. Pendimi i përulur që dëshiron Perëndia është në kontrast me vetë-drejtësinë, që na tregohet në shëmbëlltyrën e Fariseut dhe Tagrambledhësit. Lutja elokuente e Fariseut krenar nuk arriti në zemrën e Zotit, por britma e përulur e mëkatarit të penduar solli falje për të. Të dy kishin nevojë për hir, por vetëm zemra e penduar ishte në gjendje ta merrte atë.

Jezusi përmendi një zemër të penduar kur tha: “Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.” (Mateu 5: 4). “Vajtimi” është një pikëllim për mëkatin e kryer. Mëshira dhe falja e Zotit i ngushëllon ata që e shohin mëkatin e tyre, ashtu si e sheh Ai.

Një zemër e penduar nuk e pranon faljen e Zotit si të mirëqenë.  Ajo pikëllohet për mëkatin e vet dhe për atë që mëkati i kushtoi Birit të Perëndisë.

2 Korintasve 5:21 na thotë: Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të. Një zemër e penduar nuk mendon të përsëritë mëkatin e saj; përkundrazi, ajo kërkon forcën e Zotit për të kapërcyer mëkatin dhe për të shkuar drejt shenjtërisë.

1 Pjetrit 1: 15–16 thotë: “Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.”

Tek Marku 6:12, dishepujt “dolën dhe predikuan që njerëzit të pendoheshin”. Ky predikim vazhdoi te Veprat e Apostujve. Pjetri u predikoi Judenjve: “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit.” (Veprat e Apostujve 3:19). Pali u predikoi johebrenjve: “Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.” (Veprat e Apostujve 17:30). Dhe më vonë ai dëshmoi: “Duke u deklaruar solemnisht Judenjve dhe Grekëve mbi pendimin te Perëndi dhe për besimin në Zotin tonë Jezu Krisht.” (Veprat e Apostujve 20:21). Në mënyrë të ngjashme, “Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.” (Veprat e Apostujve 26:20)

Pendimi është një pjesë e rëndësishme e një përgjigje fillestare ndaj ungjillit, por është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e jetës së të krishterit. Duke i shkruar kishës në Korint, Pali thotë: “Tani po gëzohem, jo sepse u trishtuat, por sepse u trishtuat për pendim, sepse u trishtuat sipas Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm nga ne.” (2 e Korintasve 7: 9). Kishës së Efesit, Jezusi i thotë: “Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh.”(Zbulesa 2: 5).

Edhe pse pendimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, nuk ka asnjë fragment nga Shkrimet që shpjegon se çfarë do të thotë pendim, ose si ta bësh atë. Ndoshta, sepse pendimi nuk është një fjalë teologjike. Kur njerëzit dëgjuan urdhërimin për t’u penduar, ata e dinin se çfarë do të thoshte, sepse ishte një fjalë normale, me kuptim normal.

Në thelb, të pendohesh do të thotë “të ndryshosh mendjen” për diçka. Sigurisht, kur një person ka një ndryshim të mendjes, rezultati është një ndryshim i sjelljes. Nëse një shofer në autostradë është duke shkuar drejt jugut dhe papritmas e kupton se po shkon në drejtimin e gabuar, ai ndryshon drejtim në kthesën tjetër dhe shkon në drejtim të kundërt.  Ai pendohet – ndryshon mendim për drejtimin ku duhet të shkojë. Nëse e kupton se po shkon në drejtimin e gabuar, por vendos të vazhdojë më tej pa bërë asnjë ndryshim, ai nuk është penduar në të vërtetë.  Më veprimet e tij, ai tregon se është mirë me drejtimin që ka ndërmarrë. Në Dhjatën e Re, pendimi shoqërohet me një ndryshim të mendjes në lidhje me mëkatin.

Të thuash: “Më vjen keq”, të jesh keq, apo edhe të ndihesh keq nuk është njësoj si të pendohesh. Një person mund të ndiejë keqardhje emocionale për diçka, pa adresuar çështjen që fshihet pas saj. “Trishtimi sipas Perëndisë në fakt, sjell pendim për shpëtim, për të cilin njeriu nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje.” (2 e Korintasve 7:10). Juda ndjeu keqardhje të madhe për atë që i kishte bërë Jezusit, por ai nuk u pendua. Në vend të kësaj, ai kreu vetëvrasje (Mateu 27: 3–5). Pjetri gjithashtu ndjeu keqardhje të madhe për mohimin e tij ndaj Krishtit (Mateu 26:75), por në rastin e tij rezultoi me pendim të sinqertë dhe me një ndryshim të drejtimit, pasi më vonë,  ai me guxim shpalli Krishtin edhe kur u përball me përndjekje (shih Veprat e Apostujve 4).

Kur një person është duke bërë diçka që ka zgjedhur të bëjë, madje edhe që mund t’i pëlqejë shumë, por më pas, kur njihet me Fjalën se Perëndisë pendohet, kjo do të thotë se ka ndryshuar mendim për këtë. Personi i penduar arrin të besojë se ajo që dikur donte është e gabuar dhe se nuk duhet ta bëjë më. Kur pranojmë ungjillin, pendimi është një hap drejt besimit. Mund të ndodhë që dikush të bindet se ajo që ka bërë është e gabuar dhe pastaj të përpiqet të “ndreqë rrugët e tij” – madje mund të ketë sukses. Por nëse një person nuk e vendos besimin e tij te Krishti dhe drejtësia e Tij, atëherë ai thjesht beson në reformimin e tij moral. Pendimi biblik do të thotë se kuptojmë se jemi të pafuqishëm për të shpëtuar veten – ne largohemi nga mëkati dhe drejtohemi tek Ai që mund të na e falë atë.

Si mund të pendohet një person? Ashtu si besimi, edhe pendimi është një përgjigje ndaj veprës së Perëndisë. Perëndia e bind një person për mëkat. Tek Veprat e Apostujve 11:18, besimtarët hebrenj: “përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!.”  2 Timoteut 2:25 thekson të njëjtën gjë: “Duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën. ” Luka 3: 10–14: “Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: “Dhe ne, pra, ç’të bëjmë?.”Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu.Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: “Mësues, ç’duhet të bëjmë?.” Dhe ai u tha atyre: “Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar.” Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: “Dhe ne, ç’duhet të bëjmë?.” Dhe ai u tha atyre: “Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!.”

Nëse nuk jeni besimtar i krishterë dhe ndjeni dëshirën për të ditur se si të pendoheni dhe të besoni te Krishti, atëherë kjo tregon që Zoti po punon në jetën tuaj. Sidoqoftë, është e mundur që një person të pranojë që një qëndrim, ose sjellje e veçantë është e gabuar, por më pas të refuzojë t’i nënshtrohet së vërtetës së Zotit në lidhje me ndryshimin. Ky nuk është pendim. Pendimi bie dakort me këndvështrimin e Zotit për mëkatin dhe më pas tregon gadishmëri për të ndjekur drejtimin e Zotit,  një drejtim të ri.

Ky është program nga Tim Teilor! Bekimet e Zotit, gëzimi dhe paqja e Tij qofshin mbi jetën tuaj, ndërsa përqafoni Jezu Krishtin me një besim personal shpëtues.


Opinionet e Lexuesve

Lini një Koment

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e nevojshme janë të shënuara me *



Continue reading

Next post

Shërimi


Thumbnail
Previous post

Perëndia


Thumbnail
Current track

Title

Artist