Keni mbledhur thesare

Written by on 09/11/2021

Titulli për mësimin është: “Keni mbledhur thesare “. Teksti ynë është marrë nga letra e Jakobit, kapitulli 5, vargjet 1 deri në 6. Ju lutemi dëgjoni Fjalën e Zotit.

“Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!2 Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.4 Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.5 Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.6 Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.”

Pasuria në vetvete nuk është problem, por problem është mënyra se si njerëzit e fitojnë atë, se si e përdorin dhe fakti që i japin përparësi, gjë që ndikon në moralin e njeriut.  Për shembull, pasuritë mund të kenë qëllim të perëndishëm, nëse trajtohen si duhet sipas Shkrimeve të Shenjta.

Le të marrim parasysh 1 Timoteut kapitulli 6, vargjet 17 deri 19: “Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,18 të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë,19 duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.”

Në pasazhin tonë Jakobit kapitulli 5 vargjet 1 deri 6, Jakobi dënon dhe paralajmëron ashpër ata që keqpërdorin dhe i japin përparësi të gabuar pasurisë. Me sa duket, nga vetë qortimi i ashpër që vetë Jakobi shkroi, ai njihte disa të pasur të këqij që pretendonin se ishin të krishterë dhe se kishin lidhje me kishën, por Perëndia i tyre i vërtetë ishte pasuria. Ky mëkat nuk është larguar, por vazhdon edhe sot në kishë. Jakobi, gjysmë-vëllai i Jezusit, mbase kishte dëgjuar mësimin e Jezusit tek Luka kapitulli 16 dhe vargu 13:  “Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” Jakobi ishte duke bërë një qortim të ashpër.

Jakobit kapitulli 5 vargu 1: “Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!” “Të vajtosh” do të thotë të ‘qash me të madhe.’ ‘Vajtimi’ ishte termi që përdorej shpesh në Shkrimet e Shenjta për të përshkruar personin që bërtet kur vdes dikush. “Vajtimi” është një emocion i një pikëllimi të madh. Këto dy shpërthime paraqesin një dëshpërim intensiv të dëshpëruar edhe të dhunshëm, dhimbje të pakontrollueshme që do të përjetojnë pasanikët.

Jakobi tregon edhe arsyen se përse do të ndodhë ky pikëllim i madh, “për të këqijat që do t’ju zënë “. Ai u referohet atyre që përdorin pasurinë në mënyrë të papërshtatshme. Fjala origjinale greke e përkthyer “mjerim” do të thotë telashe, ose vuajtje e madhe. Kjo do të thotë se të pasurit jobesimtarë duhet të përjetojnë vuajtje të jashtëzakonshme kur të qëndrojnë përpara Zotit në gjykim.

Jakobi flet për gjykimin e tmerrshëm që do të godasë të pasurit e këqij. Tek Luka na flitet për njeriun e pasur pas vdekjes së tij. Në Luka 16, vargjet 23 dhe 24: “Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.”

Të pasurit e ligj, që e kanë bërë pasurinë perëndinë e tyre, kanë grumbulluar pasuri që nuk kanë vlerë të përjetshme.  Jakobit kapitulli 5 vargjet 2 deri 3: “Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.3 Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit “.

Në kohën e Jakobit pasuria krahësohej me ushqimet që kalben, me veshjet që mund të prishen, por edhe me argjendin dhe metalet e çmuara që ndryshken (ari dhe argjendi). Por a gërryhet, a ndryshket ari dhe argjendi në të vërtetë? Në kohën Jalobit, sipas të dhënave, prerja e arit dhe argjendit nuk ishin gjithmonë të pastëra, mund të ndryshkeshin në rrethana të caktuara. Ose Jakobi mund të ketë qenë duke shkruar në mënyrë më figurative, duke u thënë të humburve se në ditën e gjykimit të Zotit, ari dhe argjendi do të jenë të padobishëm për shpengimin e tyre.

Mbase Jakobi i referohet asaj çfarë thuhet në Testamentin e Vjetër në lidhje me këtë çështje.

Fjalët e Urta kapitulli 11, vargu 4, i cili thotë: “pasuria është e pavlefshme ditën e zemërimit“.

Isaia 2, vargjet 20 deri në 21:  “Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin minjve dhe lakuriqve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t’i adhuruar,21 për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.”

Ose Ezekieli kapitulli 7 dhe vargu 19: “Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit; nuk do të mund të ngopin shpirtin e tyre as të mbushin barkun e tyre, sepse paudhësia e tyre është bërë shkak pengese.”

Ose Sofonia, kapitulli 1, vargu 18: “As argjendi i tyre as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit.”

Grumbullimi i çdo gjëje në mënyrë egoiste është mëkat. Grumbullim do të thotë: një fond i fshehur, i ruajtur, një furnizim i ruajtur për të ardhmen.

Xhon MekArthur, njohës i Biblës, shkruan: “Grumbullimi, fatkeqësisht, është një nga mëkatet më të përhapura të kohës sonë. Zoti u beson besimtarëve të mirat materiale që ata t’i përdorin për lavdinë e Tij. Padyshim, të krishterët duhet të sigurojnë për familjet e tyre, por përveç kësaj, burimet e të krishterëve duhet të përdoren për të përparuar mbretërinë e Zotit. Në mënyrë të veçantë, besimtarët duhet të përdorin pasurinë e tyre për të fituar të humburit, për t’u kujdesur për ata që kanë nevojë dhe për të mbështetur ata që janë në shërbesë. Ata që identifikohen me emrin e Krishtit nuk duhet të grumbullojnë pasuri kot më kot pa marrë parasysh vullnetin e Zotit.”

Psalmi 39 vargu 6: “Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!”

Predikuesit kapitulli 5 vargjet 10 deri 11: “Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre. Edhe kjo është kotësi.11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj pronarët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre?”

Predikuesit kapitulli 5 dhe vargu 13: “Éshtë një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për pronarin e tyre në dëm të tij.”

Jezusi gjithashtu paralajmëroi kundër grumbullimeve në Dhjatën e Re në Luka, kapitulli 12, vargjet 16 deri në 21 që thotë: “Dhe ai u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme;17 dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: “Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?”.18 Dhe tha: “Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera,19 dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo”.20 Por Perëndia i tha: “O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?”.21 Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë.”

Jakobi më tej përshkroi me detaje gjykimin që vjen mbi grumbulluesit. Jakobi përshkruan kotësinë e grumbullimit të pasurive, ai thotë: “gërryerja do të dëshmojë” si një dëshmitar për ndjekjen penale kundër të pasurve të ligj.

Madje Jakobi portretizon korrezionin si xhelatin e tyre: “do të përpijë mishin tuaj si zjarr“. Zjarri tregon shkatërrim të pashmangshëm në gjykimin e tyre përfundimtar nga zemërimi i Zotit. Kjo është një pamje e frikshme e zjarrit të ferrit. Dënimi që vjen për të pasurin e lig është i sigurt.

“Në ditët e fundit” i referohet kohës ndërmjet ardhjes së parë dhe të dytë të Krishtit. Ndoshta Jakobi e përfshiu këtë detaj për të qortuar të pasurit që jetonin në mënyrë egoiste, pa dhembshuri, duke grumbulluar sikur Krishti nuk po kthehej për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.

Si të krishterë, ne duhet të jemi më mirëdashës ndaj atyre që na rrethojnë, që kanë nevojë për shumë gjëra, që ne nuk i përdorim, por i ruajmë.

Jakobi vazhdon të shkruajë më tej duke treguar një shembull të pasurisë së fituar në mënyrën e gabuar nga të pasurit e këqij. Jakobi kapitulli 5 dhe vargu 4 “Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.” Vini re se të pasurit këtu nuk vononin vetëm pagimin e pagave për punëtorët e tyre, por nuk ua jeptin atyre fare pagën e tyre. Punëtorët ditorë, në kohën e Jakobit, ishin një pjesë e rëndësishme e sistemeve të lashta agrare. Mbajtja e pagave të tyre ishte rreptësisht e ndaluar, për shembull, nga ligji i Moisiut. Ligji i Përtërirë 24, vargjet 14 deri në 15: “Nuk do t’i hash hakun argatit të varfër dhe nevojtar, qoftë ai një nga vëllezërit e tu apo një nga të huajt që banojnë në vendin tënd, brenda portave të tua;15 do t’i japësh pagën e tij po atë ditë, para se të perëndojë dielli, sepse ai është i varfër dhe kjo është dëshira e tij; kështu ai nuk do të bërtasë kundër teje para Zotit dhe ti nuk do të kesh mëkat.” Korrësit nuk kishin të ardhura të qëndrueshme dhe vareshin nga pagat e çdo dite për të ushqyer familjet e tyre.

Profeti i Zotit shkroi për këtë mëkat të rëndë në Jeramia, kapitulli 22 dhe vargu 13: “Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij.” Me siguri, një gjykim përfundimtar, i frikshëm pret ata që grumbullojnë padrejtësisht edhe pagat e mundshme të punëtorëve në vendin e tyre të punës. Drejtësia dhe zemërimi i presin ata që mashtrojnë, që grabitin punëtorët e tyre.

Jakobi vazhdon të ngrejë akuza serioze kundër të pasurve të këqij. Jakobi kapitulli 5 dhe vargu 5 “Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.” Të jetosh në luks bëhet një ves kur një person konsumohet me ekstravagancë. Vetëkënaqësia, si përparësia e jetës, ndjekja pas kënaqësisë mbi gjithçka nuk është ajo që Zoti i ka thirrur të krishterët për t’i dhënë përparësi. Ata që jetojnë me këto përparësi mbyllin sytë dhe veshët për nevojat e të tjerëve dhe për punën e Zotit; duke jetuar kryesisht për të kënaqur mishin e tyre.

Jakobi i përshkruan ato si një pamje të shëmtuar: “I ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.” Ata janë të pasur grumbullues, shtypës, të dhënë pas kënaqësisë, janë si viçat e majmur, të drejtuar për në kasaphanën e gjykimit dhe zemërimit të Zotit.

Ndoshta Jakobi ishte në dijeni të Shkrimeve të Dhjatës së Vjetër sa që përdor imazhet e therjes së kafshëve për të përshkruar zemërimin dhe gjykimin e drejtë të Perëndisë mbi të pabesët. Për shembull, ndëshkimi i Zotit për Edomin, një armik i lig i Izraelit. Në Isaia 34, vargjet 6 deri në 8 thuhet: “Sepse Zoti bën një flijim në Botsrah dhe një kërdi të madhe në vendin e Edomit. Bashkë me ta bien buaj, mëzetër tok me dema; toka e tyre është vaditur me gjak, pluhuri i tyre është ngopur me dhjamë. Sepse është dita e hakmarrjes të Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit.”

Më në fund Jakobi, ngul edhe gozhën e fundin në arkivolin e këtyre mashtruesve të krishterimit. Jakobit kapitulli 5 vargu 6: ” Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.”

Me sa duket, këta të pasur të këqij çuan deri në vrasjen e të pafajshmëve për të ruajtur stilin e tyre të jetës. “I dënuar” mund të nënkuptojë se këta të pasur të këqij po përdornin dhe abuzonin në gjykata të tjerët, për të vrarë gjyqësisht këdo që ata e konsideronin si kërcënim për pasurinë e tyre.

Në kohën e Jakobit, të pasurit e paskrupullt u përpoqën të prishin sistemin e drejtësisë dhe ta përdorin atë kundër të varfërve dhe të pafajshmëve.

Në të vërtetë, pasuria mund të jetë një bekim nga Zoti, veçanërisht sipas dhuratave dhe talenteve tona të dhëna nga Zoti, së bashku me etikën tonë të zellshme të punës. Pasuria gjithashtu duhet të sjellë më shumë mundësi për t’i sjellë lavdi Zotit në mbështetjen e shërbesave të denja dhe duke treguar dasharimësi ndaj nevojtarëve, por sigurisht edhe për veprimtarinë dhe punën e kishës dhe misionarëve të Zotit.

Uarren Uirsbi, një njohës shumë i mirë i Biblës shkruan: “Të gjithë jemi mirënjohës për gjërat e mira të jetës dhe sigurisht që nuk do të dëshironim të ktheheshim në kushtet primitive. Por ne e pranojmë faktin se herë pas herë bëjmë edhe hapa prapa. Jezusi tha: ‘Kini kujdes dhe ruhuni nga kopracia, sepse jeta e njeriut nuk qëndron në mbushullinë e gjërave që zotëron.”‘ Luka, kapitulli 12, vargu 15.

Ekziston një ndryshim i madh midis të shijuarit të asaj që Zoti na ka dhënë dhe të jetojmë në mënyrë ekstravagante duke shfrytëzuar atë që ju kemi mbajtur të tjerëve. Edhe nëse ajo që kemi fituar është fituar në mënyrë të ligjshme dhe në vullnetin e Zotit, ne nuk duhet ta harxhojmë atë për të jetuar me egoizëm. Ka shumë nevoja për t’u përmbushur. Nëse përputhni karakterin me pasurinë, mund të prodhoni shumë të mira; por nëse përputh vetë-kënaqësinë me pasurinë, rezultati është mëkat. ”

Çdo i krishterë mund të ndihet i pasur thjesht duke numëruar të gjitha dhuratat dhe premtimet e Zotit, që paratë nuk mund t’i blejnë.

Padyshim, dëgjues i dashur, nëse keni nevojë për Zotin, ju keni nevojë për Jezus Krishtin, Birin e Zotit të Gjallë, si Shpëtimtarin dhe Zotin tuaj që mund ta pranoni me anë të besimit, duke u penduar për mëkatet tuaja, duke e rrëfyer atë si Shpëtimtar dhe Zot, duke besuar se Ai u ringjall nga vdekja trupërisht dhe duke këmbëngulur në besimin tuaj.

Tagged as

Reader's opinions

Leave a Reply


Current track

Title

Artist