Shërimi

Written by on 14/09/2022

Nëse nuk jeni i krishterë sot, mbase po pyesni veten nëse do ta rrëfenit Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin tuaj, duke u penduar për mëkatet e tua dhe duke e lejuar Jezusin të shpëtojë shpirtin tuaj të përjetshëm, nëse Ai do t’ju shëronte nga sëmundjet dhe paaftësitë tuaja fizike? Përgjigja është: “Nuk e di”.  Askush përveç Zotit nuk e di këtë gjë. Por ju keni një problem më të madh sesa sëmundja, ose paaftësia juaj. Ju jeni nën dënimin e vdekjes për mëkatet që keni bërë. Pa Krishtin, ju po shkoni drejt një përjetësie mjerimi dhe errësire, larg çdo shërimi, ose lehtësimi në jetën e ardhshme. Romakëve 6:23 thotë se kur njerëzit mëkatojnë, ata marrin pagën e mëkatit – vdekjen. Por, Perëndia i jep popullit të tij një dhuratë falas – jetën e përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin tonë.

Në Gjoni 3 na jepet një kontrast i madh midis të qenit i shëruar nga mëkati për të jetuar gjithë përjetësinë në dritë dhe paqe dhe të shkuarit në Ferr, në agoni të përjetshme, në izolim dhe errësirë​. Dëgjoni Gjonin kapitulli 3, duke filluar në vargun 16.

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.”

Shërimi nga një përjetësi e tmerrshme është shërimi më i vlefshëm. Psalmi 30: 2 & 3 thotë: “O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.”

Psalmi 103: 2-4 tregon se shërimi është kryesisht shpirtëror dhe për këtë arsye i përjetshëm: “Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri.”

Të shpëtosh dhe të rilindësh është lloji më i mirë i shërimit. Dëgjoni Jereminë 17:14: “Shëromë, o Zot, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime.

3 Gjonit 1: 2 përforcon idenë e shëndetit të trupit dhe shpirtit: “ Shumë i dashur, unë dëshiroj të kesh mbarësi në çdo gjë dhe të gëzosh shëndet të mirë, ashtu si ka mbarësi shpirti yt.”

Çfarë thotë Bibla për shërimin?

Isaia 53: 5, që më pas citohet në 1 Pjetrit 2:24, është një varg kryesor që flet për shërimin, por shpesh herë keqkuptohet dhe keqpërdoret. “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.” Fjala “shëruar” mund të tregojë shërim shpirtëror, ose fizik. Sidoqoftë, kontekstet e Isaisë 53 dhe 1 Pjetrit 2 na e bëjnë të qartë se flitet për shërimin shpirtëror.  “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit që ne, të vdekur për mëkate, të rrojmë për drejtësi; dhe me vurratat e tij ju u shëruat.“(1 Pjetrit 2:24).Vargu flet për mëkatin dhe drejtësinë, jo për sëmundjen. Prandaj, të “shërohesh”, në të dyja këto vargje do të thotë të jesh i falur dhe i shpëtuar, jo i shëruar fizikisht.

Bibla nuk e lidh specifikisht shërimin fizik me shërimin shpirtëror. Ndonjëherë, njerëzit shërohen fizikisht, kur besojnë te Krishti, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Ndonjëherë, është vullneti i Zotit për të shëruar, por ndonjëherë nuk është vullneti i Tij. Apostulli Gjon na jep perspektivën e duhur:“Kjo është siguria që kemi përpara tij: nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson:Dhe nëse dimë se ai na i plotëson të gjitha ato që i kërkojmë, ne dimë se i kemi ato që i kërkuam atij.“(1 Gjonit 5: 14-15). Zoti bën ende mrekulli. Zoti ende i shëron njerëzit. Sëmundja, dhimbja dhe vdekja janë realitete në këtë botë. Në qoftë se Zoti nuk kthehet, të gjithë ata që janë gjallë sot do të vdesin dhe shumica dërrmuese e tyre (përfshirë edhe të krishterët) do të vdesin si rezultat i një problemi fizik (sëmundjeje). Nuk është gjithmonë vullneti i Zotit për të na shëruar fizikisht.

Në fund të fundit, shërimi ynë i plotë fizik na pret në parajsë. Në parajsë, nuk do të ketë më dhimbje, sëmundje, vuajtje ose vdekje (Zbulesa 21). Të gjithë duhet të jemi më pak të preokupuar me gjendjen tonë fizike në këtë botë dhe shumë më tepër të merremi me gjendjen tonë shpirtërore (Romakëve 12: 1-2). Zemrat tona duhet të mendojnë për parajsën, ku nuk do të duhet të merremi më me probleme fizike. Zbulesa 21: 4 përshkruan shërimin e vërtetë, të cilin të gjithë duhet të dëshirojmë: “Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.”

 “Pse Zoti nuk i shëron të gjithë? Pse Zoti shëron vetëm disa njerëz dhe jo të gjithë që luten me të vërtetë për shërim?” Ndonjëherë, bekimet e Zotit vijnë në mënyra të tjera, përveç shërimit fizik.

Nëse do të ishte gjithmonë vullneti i Zotit që njerëzit të shëroheshin, atëherë të gjithë do të shëroheshin sa herë që do të sëmureshim. Nëse shëndeti i mirë do të ishte gjithmonë vullneti i Zotit, atëherë të krishterët nuk duhet të vdesin kurrë. Ne nuk mund ta fajësojmë dikë për mungesë besimi kur është i sëmurë, sepse e dimë biblikisht, se Zoti ndonjëherë përdor sëmundjen për të përmbushur vullnetin e Tij. Gjithashtu, nuk janë vetëm besimtarët e devotshëm që sëmuren. Pali “e la Trofimin të sëmurë në Milet (2 Timoteut 4:20) dhe vetë Pali kishte një sëmundje fizike, që Zoti nuk e shëroi (2 Korintasve 12: 7–9).

Shpesh, të krishterët kanë një ide shumë të thjeshtë për shërimin. Ata mendojnë se nëse janë të sëmurë u mbetet vetëm t’i kërkojnë Zotit t’i shërojë dhe Zoti do t’i shërojë menjëherë.

Shërimi shihet si provë e besimit të një personi dhe e dashurisë së Zotit. Kjo ide vazhdon të qarkullojë në disa grupime, përkundër së vërtetës. Një prind nuk i jep fëmijës së tij gjithçka që ai kërkon, pavarësisht se sa shumë e do atë.

Joni Erekson Tada luftoi me këtë çështje për një kohë të gjatë. Ndërsa rrëfen në librin e saj, Joni thotë se ajo kërkoi shërimin fizik kundër katraplegjisë. Kjo do të thotë se ajo nuk mund të përdorë krahët, ose këmbët e saj.

Ajo u lut dhe besoi plotësisht se Zoti do ta shëronte. Sipas fjalëve të saj, “Unë besoja. Merrja në telefon miqtë e mi dhe ju thoja: “Herën tjetër do të më shihni të vrapoj në trotuarin tuaj. Zoti do të më shërojë!”

Megjithatë, Joni është akoma në karrocë edhe sot. Dyzet e pesë vjet pas aksidentit që e la të paralizuar, Zoti ende nuk e ka shëruar. Prespektiva e saj tregon një besim të madh: “Zoti mund të largojë vuajtjet tuaja dhe kjo është një arsye e madhe për lavdërime. Por nëse jo,  Ai do të përdorë gjithçka që qëndron në rrugën e miqësisë së Tij me ju. Perëndia le të të formojë, të të transformojë nga lavdia në lavdi. Ky është shërimi më i thellë. ”

Disa mendojnë se Zoti nuk do të shërojë kurrë në mënyrë të mrekullueshme askënd në kohën që jetojmë. Të tjerë mendojnë se Zoti do ta shërojë gjithmonë një person, nëse ai, ose ajo ka besim të mjaftueshëm. Por Zotin nuk mund ta kufizojmë.

Duhet të kuptojmë se shërimet, madje edhe në Bibël, janë të rralla. Për 2500 vitet e para të historisë biblike, nuk përmendet asnjë shërim. Pastaj gjatë jetës së Abrahamit kemi një shërim, megjithëse vetëm nënkuptohet (Zanafilla 12: 17–20). Moisiu kreu një numër shenjash për të vërtetuar autoritetin e tij si udhëheqësi i Zotit. Sidoqoftë, shërimi i vetëm që lidhet me Moisiun është pastrimi i Miriamit nga lebra (Numrat 12: 13–15).

Me ardhjen e Krishtit, ne kemi përmbushjen e Besëlidhjes së Moisiut (Mateu 5:17) dhe një përmbysje të efekteve të prapambetjeve shpirtërore të Izraelit. Kudo që shkonte Krishti,  Ai shëroi të sëmurët, por kjo nuk ishte vetëm për shkak të mirësisë së Tij; shërimet e Tij ishin një shenjë e autoritetit të Krishtit, si Mesia (Gjoni 7:31).  Ai po i jepte Izraelit një shije të mbretërisë së Perëndisë. (Luka 11:20) Për shembull, në pellgun e Betsaidës, Jezusi shëroi vetëm një njeri nga një grup i madh njerëzish.

Apostujve, gjithashtu, iu dha fuqia për të shëruar të sëmurët dhe për tridhjetë e shtatë vjet ata shkuan kudo duke shëruar ata që dëgjuan mesazhin e tyre. Përsëri, mrekullitë e tyre, përfshirë shërimin, ishin konfirmim i së vërtetës së ungjillit. që shpallën apostujt.

Edhe dymbëdhjetë apostujt nuk i shëruan të gjithë. Pali i thotë Timoteut: “Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.” (1 Timoteut 5:23). Pse, Pali nuk vuri duart mbi Timoteun dhe nuk e shëroi? Kjo nuk ndodhi për shkak se Timoteu nuk kishte besim të mjaftueshëm; por sepse nuk ishte vullneti i Zotit për të shëruar Timoteun në atë mënyrë. Shërbesa e shërimit nuk ishte për lehtësinë personale të askujt; përkundrazi, ishte një shenjë nga Zoti – për hebrenjtë e Besëlidhjes së Vjetër – për vlefshmërinë e mesazhit të apostujve.

Sot, nuk po jetojmë në ditët apostolike. Sigurisht, Zoti mundet dhe shëron edhe sot kur dëshiron. Pyetja që duhet të bëjmë në çdo situatë është: Çfarë dëshiron Zoti? A dëshiron Ai të shërojë njerëzit në këtë jetë, apo ka një plan tjetër për të treguar lavdinë e Tij përmes dobësive? Një ditë, e gjithë sëmundja dhe vdekja do të çrrënjosen (shih Zbulesa 21: 4). Joni Erekson Tada do të ecë përsëri në Parajsë. Deri atëherë, ekziston një shërim më i madh, pastrimi i zemrave mëkatare, që Zoti kryen çdo ditë.

Ju ka ndodhur kjo? A e keni dorëzuar veten tuaj nën kontrollin e Zotit dhe Frymës së Tij të Shenjtë, në mënyrë që Jezusi t’ju shpëtojë përjetësisht?

Jakobit 5:13-16: A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!14 A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit,15 dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen.16 Rrëfeni fajet njeri tjetrit dhe lutuni për njeri tjetrin, që të shëroheni; shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.”


Reader's opinions

Leave a Reply


Continue reading

Previous post

I thyer


Thumbnail
Current track

Title

Artist