Shpëtimi falas që kushton gjithçka
Written by adminradio on 14/09/2022
Tek Zbulesa, libri i fundit i Biblës, kapitulli 21, lexojmë se shpëtimi është falas:
“Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.” Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.”
Romakëve 6:23 thotë: “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
Shpëtimi për ata që me të vërtetë besojnë në Jezusi është falas, por Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit, i kushtoi jetën, kur Ai vdiq në kryq për të paguar borxhin e mëkatit për ata që do të besonin në Të.
Por, ka një kosto … JO për të marrë shpëtimin … JO për t’u shpëtuar, por ky transformim i shpirtit do të transformojë mënyrën sesi jetojmë çdo pjesë të jetës sonë, në këtë kuptim, shpëtimi do të kushtojë gjithçka, sepse ju do t’ia kushtoni plotësisht jetën tuaj Krishtit.
Të gjithë jetojmë për diçka. Ne e fillojmë jetën si foshnjë, plotësisht të përkushtuar për të kënaqur veten. Ndërsa rritemi, kjo gjë zakonisht nuk ndryshon shumë. Fokusi ynë përqëndrohet në ato fusha që janë të rëndësishme për ne, siç janë marrëdhëniet, karriera, ose qëllimet tona. Por në fund të fundit, kemi pothuajse gjithmonë një dëshirë për të kënaqur veten. Kërkimi për lumturinë është një udhëtim universal.
Sidoqoftë, ne nuk jemi krijuar për të jetuar për veten tonë. Ne u krijuam nga Zoti, në shëmbëlltyrën e Tij, për kënaqësinë e Tij (Zanafilla 1:27; Kolosianëve 1:16). Filozofi francez Blaisi Paskal shkroi: “Ekziston një vakum në formën e Zotit në zemrën e çdo personi dhe ai kurrë nuk mund të mbushet nga ndonjë gjë e krijuar. Ky vakum mund të mbushet vetëm nga Zoti, që e njohëm përmes Jezu Krishtit.”
Përgjatë historisë, njerëzimi është përpjekur ta mbushë këtë vakum me çdo gjë tjetër përveç Zotit: me fenë, filozofinë, marrëdhëniet njerëzore, ose përfitimet materiale. Asgjë nuk na kënaq, siç dëshmohet nga dëshpërimi universal, lakmia dhe mungesa e përgjithshme që karakterizon historinë e njeriut. Jezusi tha: “Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të ngarkuar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28). Tek Isaia 45: 5, Zoti thotë: “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje.” Bibla është historia që Zoti kërkon njeriun, sepse njerëzimi ka vdekur shpirtërisht dhe nuk mund ta kërkojë Zotin pa ndihmën e Tij.
Kur kuptojmë se jeta nuk ka të bëjë me veten tonë, ne jemi gati të mos vrapojmë më larg Zotit dhe të kthehemi tek Ai. E vetmja mënyrë që secili prej nesh mund të ketë marrëdhënie me një Zot të shenjtë është të pranojmë se jemi mëkatarë, të largohemi nga mëkati dhe të pranojmë sakrificën që Jezusi bëri për të paguar mëkatin. Ne rrëfejmë mëkatin tonë, e falënderojmë Jezusin që siguroi një rrugë për të na falur dhe e ftojmë Atë të marrë kontrollin e jetës sonë.
Ardhja te Zoti përmes besimit në Jezu Krisht do të thotë që ne t’i transferojmë pronësinë e jetës sonë Zotit. Ne e bëjmë atë Shefin, Zotin, e jetës sonë. Zemrat tona të vjetra që adhuronin vetveten tashmë kërkojnë përsosjen e Jezusit.
“Ja tek jam, Zot. Unë jam një mëkatar, por ti gjithsesi më do. Faleminderit që vdiqe për mua dhe u ringjalle nga të vdekurit, që mëkati im të mund të më falet. Më pastro, më fal dhe më bëj fëmijën tënd. Më prano. Merr gjithçka timen. Tani e tutje unë dua të jetoj për ty”.
Kur i japim Zotit vetveten, Ai e dërgon Frymën e Tij të Shenjtë për të jetuar në shpirtrat tanë.
Ne nuk jetojmë më për atë që duam. Ne i përkasim Jezusit.
Që nga çasti që i japim jetën tonë Zotit, Fryma e Shenjtë na jep fuqinë dhe dëshirën për të jetuar për Perëndinë. Ai ndryshon “dëshirat tona”. Ndërsa i dorëzohemi Atij çdo ditë, lutemi, lexojmë Biblën, adhurojmë dhe bashkohemi me të krishterë të tjerë, ne rritemi në besimin tonë dhe kuptojmë se si t’i pëlqejmë Perëndisë (2 Pjetrit 3:18).
Jezusi tha: “Pastaj u tha të gjithëve: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” (Luka 9:23). Shpesh, rruga që dëshiron Zoti për ne, na drejton në një drejtim tjetër nga ai që ne, ose miqtë tanë do të zgjedhin. Ne duhet të zgjedhim midis rrugës së gjerë dhe asaj të ngushtë.
Vini re, se Jezusi mësoi për Dy Rrugë dhe Dy Dyer në Mateu, kapitulli 7, kur tha:
“Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!”
Jezusi e di qëllimin për të cilin Ai na krijoi. Zbulimi i këtij qëllimi dhe të jetuarit sipas tij është sekreti i lumturisë së vërtetë. Ndjekja e Jezusit është mënyra e vetme që na çon në jetë.
Atëherë, çfarë donte të thoshte Jezusi kur tha ‘të llogarisim shpenzimet’ te Luka 14:28?
Në Luka 14, Jezui përcakton kushtet e dishepullimit. Shumë turma e ndoqën nga pas.
Të gjithë i donin mrekullitë, shërimin dhe ushqimin falas. Jezusi ishte interesant, fliste në qytet, ishte trend i kohës. Por Ai i njihte zemrat e tyre. Ai e dinte se ata dëshironin përfitimet e veprave të Tij, në vend që të kuptonin se kush ishte. Ata i donin dhuratat e Tij, por jo jetën për të cilën Ai po i thërriste. Kështu që Ai shpjegoi se çfarë është e nevojshme për të qenë një nga ndjekësit e Tij:
“Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im. Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im. Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar? Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen, duke thënë: “Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë”. Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë? Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe. Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” (Luka 14:26-33).
Jezusi foli shumë përmes ilustrimeve të thjeshta. Ai i dha fund idesë se Ai po ofronte një lloj programi të mirëqenies. Megjithëse dhurata e jetës së përjetshme është falas për këdo që e kërkon atë (Gjoni 3:16), kërkesa kërkon transferimin e pronësisë (Luka 9:23; Galatasve 5:24).
“Llogaritja e kostos” do të thotë të njohësh dhe të pajtohesh që më parë me disa kushte. Duke ndjekur Krishtin, ne nuk mund të ndjekim dëshirat tona. Ne nuk mund ta ndjekim edhe Atë, edhe rrugët e botës në të njëjtën kohë (Mateu 7: 13-14). Ndjekja e Tij mund të nënkuptojë se do të na duhet të humbasim marrëdhëniet, ëndrrat, gjërat materiale, apo edhe jetën tonë.
Ata që po e ndjekin Jezusin për ato që mund të marrin nuk do të qëndrojnë në kohë të vështira.
Kur rruga e Zotit bie ndesh me rrugën tonë, ne do të ndihemi të tradhtuar nga besimi i cekët që kemi. Nëse nuk e kemi llogaritur koston e të qenit fëmija i Tij, ne do të largohemi nga kërcënimi i sakrificës dhe do të gjejmë diçka tjetër për të përmbushur dëshirat tona egoiste.
Jezusi e përfundoi përshkrimin e kostos së të qenit dishepull me një deklaratë që të lë pa frymë: “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” (Luka 14:33).
Shumë njerëz i afrohen Krishterimit në të njëjtën mënyrë. Atyre u pëlqen ideja e jetës së përjetshme, duke i shpëtuar ferrit, por ata nuk janë të gatshëm të largohen nga jeta që jetojnë tani. Dëshirat, mënyra e jetesës dhe zakonet e tyre mëkatare janë shumë të çmuara për ta. Jetët e tyre mund të shfaqin një ndryshim simbolik – duke filluar të marrin pjesë në kishë, ose duke hequr dorë nga mëkatet e mëdha – por ata duan të mbajnë pronësinë e gjithçkaje tjetër. Në Luka 14 Jezusi u flet pikërisht këtyre njerëzve që kanë këtë mendim.
Ne nuk mund ta fitojmë shpëtimin duke ndryshuar stilin e jetës, ose duke bërë ndonjë vepër të mirë (Efesianëve 2: 8-9). Por, kur zgjedhim të ndjekim Krishtin ia lëmë Atij kontrollin e jetës sonë. Kur Jezusi është në kontroll, si rezultat do të jetojmë një jetë të denjë (1 Gjonit 3: 4-10; 2 Korintasve 5:17). Nëse duam të jemi dishepuj të Krishtit, së pari duhet të llogarisim koston e ndjekjes së Tij.
1 Gjoni 2:15-17: “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.”