Vizitorë të çuditshëm nga Lindja

Written by on 11/12/2019

“Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael.”

Kjo ishte profecia që treguan skribët kur po flisnin me Herodin. Kjo ishte profecia me të cilën u gëzuan Jozefi dhe Maria. Kjo ishte profecia që e ndihmoi Herodin të thurrte planin e tij të lig. Kjo ishte profecia që i drejtoi burrat nga lindja.

Ndërsa panë dritën e atij ylli të çuditshëm që po shkëlqente mbi gruan që mbante fëmijën në krahë ata i thanë njëri-tjetrit. “Shikoni atje! Gruaja me Fëmijën. Drita po ndriçon drejt mbi ta. Ai është Mbreti.”

Burrat zbritën nga devetë e tyre. Karvani shkoni në anë të qytetit dhe shërbëtorët qëndruan me kafshët dhe plaçkat e tyre me përjashtim të dhuratave të veçanta të cilat burrat i kishin mbajtur me kujdes. Ata nxorrën dhuratat dhe me gëzim të madh ecën drejt shtëpisë ku e kishin parë gruan me fëmijën. Kur arritën u përshëndetën nga një burrë.

“Unë jam Jozefi nga shtëpia e Davidit. Kush jeni ju? Nga keni ardhur? Çfarë kërkoni?”

Burrat me gëzim dhe përulësi të madhe i thanë, “Ju lutemi na falni për ndërhyrjen e papritur. Ne vijmë nga një vend i largët, kemi udhëtuar me javë të tëra për të ardhur këtu. Ne studiojmë shumë gjëra dhe mes tyre studiojmë yjet dhe fenë e popullit tuaj. Para shumë muajsh, po studionim qiellin e natës për të parë shenja dhe dalluam një dritë të çuditshme mbi vendin tuaj. Pas ca diskutimeve vendosëm që profecitë tuaja ishin realizuar dhe që ju kishte lindur një mbret i madh.”

“Zemrat tona dëshirojnë paqe. Zemrat tona dëshirojnë shpëtim. Ato dëshirojnë drejtësi në botë. Prej shumë kohësh kemi besuar që një mbret do të lindë në Izrael që ka për të sjellë një paqe të tillë. Perëndia na drejtoi tek ju.”

“Oh Jozef,” i tha Maria e mahnitur dhe me një buzëqeshje të ndritshme si ylli që kishte shkëlqyer mbi ta para disa momentesh. “Perëndia është duke punuar fuqishëm.” Jozefi u kthye nga burrat dhe u tha, “Mund të hyni.” Ai dhe Maria u hapën udhën që të hynin dhe kështu burrat me rroba të gjata dhe kapele të çuditshme hynë brenda. Çdo gjë në pamjen e tyre tregonte nderim, dinjitet dhe paqe. Kur burrat hynë brenda, panë Jozefin dhe Marinë dhe u thanë, “Paqja qoftë me ju të dy.”

Pastaj panë Fëmijën dhe u përulën deri në tokë para tij. Për disa memente ata qëndruan në atë pozicion. Jozefi dhe Maria mund t’i dëgjonin që po flisnin në një gjuhë të çuditshme, por edhe pse nuk i kuptonin fjalët e dinin në zemrën e tyre që po adhuronin Perëndinë.

Pastaj ata burra u çuan dhe thanë, “Kemi udhëtuar me kilometra të tëra për këtë moment. Zemrat tona janë mbushur me gëzim dhe kënaqësi pasi e kemi parë shpëtimin e Perëndisë në mish.” Pastaj u bënë shenjë disa shërbëtorëve që kishin ardhur me ta të cilët sollën dhuratat dhe i vendosën tek këmbët e tyre. Një nga burrat tha, “Ju lutemi, pranojini dhuratat tona të thjeshta si nderim për Fëmijën që është caktuar të sundojë mbi të gjithë. Ju kemi sjellë ar nga vendi ynë.” Kur Jozefi dhe Maria e panë kutinë kur u hap ngelën gojëhapur pasi nuk mund t’u besonin dot syve. “Mendoj që këtu ka më tepër nga sa keni parë gjithë jetën tuaj, por gjithashtu mendoj që do t’ju nevojitet për arsye që unë nuk i di.” Ju lutemi pranojeni këtë për hir të Fëmijës tuaj. Dhe një ditë ndodhtë që gjithë thesaret e të gjithë mbretërve u sjellshin para tij pasi ai është i denjë.”

Ata hapën një kuti të dytë nga e cila dori një aromë e ëmbël. “Temjan, më i miri nga vendi ynë dhe ndërsa aroma e tij mbush shtëpinë tuaj, ju kujtoftë gjithmonë ne, që lutjet tona do të ngrihen drejt Perëndisë për ju ndërsa e rritni atë të jetë Mbreti ynë.”

Kur hapën kutinë e tretë, dhoma u mbush me një aromë tjetër, “Mirrë, edhe kjo më e mira e vendit tonë. Aroma e saj e ëmbël dhe fuqia shëruese i mbushshin zemrat dhe trupat tuaj.”

Burrat u përulën sërish dhe adhuruan. Jozefi dhe Maria nuk kishin fjalë për të thënë por ndërsa po shihnin Jezusin u mahnitën prej vështrimit në fytyrën e tij që dukej sikur e dinte se çfarë po bënin. Buzëqeshja e tij e bukur dukej sikur thoshte, “Unë ju njoh. E pranoj adhurimin tuaj. Do të takohemi sërish o burra fisnikë nga lindja.”

Burrat u çuan dhe thanë, “Zemrat tona po gufojnë dhe tani duhet të largohemi. Do ngremë kampin jashtë fshatit dhe nuk do lëndojmë apo shqetësojmë njeri. Sonte mund të flini të qetë pasi nuk do të jemi larg dhe zemrat tona do jenë me ju.” Pastaj u larguan. Jozefi dhe Maria dolën jashtë shtëpisë së tyre të vogël. Ata mund t’i shihnin të tjerët që po shihnin këtë pamje të çuditshme nga dyert e tyre paksa të hapur. Por në atë moment nuk shqetësoheshin. Burrat ecën me kokën lart drejt karvanit të tyre në anë të fshatit. U hipën sërish deveve të tyre dhe me një përshëndetje të fundit u larguan nga fshati drejt një vendi jo shumë larg ku do të kalonin natën.

Shumë prej tyre i la gjumi atë natë. Në kampin e burrave nga lindja dëgjoheshin zëra natën. Por nuk ishin zërat e atyre që bënin roje dhe as zërat e njerëzve në ëndërrat e tyre në një vend të largët. Ata po ëndërronin për zëra që ishin afër. Ëndërruan për Jozefin, Marinë dhe Fëmijën. Fytyra e tij kishte mbushur zemrat e tyre. Pastaj ëndërruan për Herodin dhe në ëndërrat e tyre i dëgjuan sërish fjalët e tij të bukura por pastaj zemrat e tyre u mbushën me tmerr ndërsa fytyra e tij morri një pamje tjetër të frikshme. Pastaj u dëgjua një zë tjetër, një zë që nuk ishte prej kësaj bote, “Burra të lindjes. Çohuni dhe kthehuni në shtëpi. Misioni juaj është përmbushur. Mos u ktheni tek Herodi. Mos hyni sërish në Jerusalem. Herodi do të përpiqet ta vrasë fëmijën. Ai ju ka thënë fjalë mashtruese. Kthehuni me të shpejtë në shtëpinë tuaj.” Burrat u çuan në mes të natës dhe u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Në Betlehem shumë fshatarë ëndërruan. Ëndërruan për burra të çuditshëm, arroma të çuditshme dhe një gjuhë të çuditshme. Disa ëndërruan vajtime dhe frika i pushtoi zemrat e tyre. Maria po flinte e qetë por ndjeu që Jozefi po e lëvizte me butësi dhe i tha, “Mari, çohu. Duhet të shkojmë.”

“Çfarë po ndodh Jozef,” i tha ajo e përgjumur. “Ka ndonjë gjë që nuk shkon me Jezusin?” “Mari, duhet të mbledhim pasuritë tona, sa të kemi mundësi të marrim me vete dhe duhet të largohemi menjëherë, sa më larg prej këtu. Sonte më erdhi një engjëll prej Perëndisë. I njëjti që më foli dhe më tha të mos kisha frikë të martohesha me ty. Por ajo që më tha sonte ma mbushi zemrën me frikë. Ai na tha të çohemi menjëherë dhe të ikim në Egjipt. Herodi do të na kërkojë. Ai e di për Jezusin. Do të përpiqet ta vrasë.”

Ditën tjetër Herodi ishte në oborrin e tij. Ndihej mirë për veten. Edhe pse në fillim këta burra nga lindja e kishin shqetësuar ai nënqeshi ndërsa po mendonte për shfaqjen e tij para tyre. “Ata nuk dyshuan fare,” mendoi ai. “Nuk e kishin idenë.” Ai qeshi sërish ndërsa po mendonte sesi gracka e tij shumë shpejt do të funksiononte në Betlehem.

Por kur po mbaronte dita nisi të shqetësohej sërish. “Pse nuk janë kthyer ata dijetarë? Sigurisht që deri tani do ta kenë gjetur Fëmijën.” Ai thirri disa prej shërbëtorëve të tij më të besuar. “Dua të shkoni në Betlehem – me qetësi dhe në fshehtësi. Dua të zbuloni ku janë ata burra dhe çfarë po bëjnë. Pastaj kthehuni dhe më tregoni.”

Por kur u kthyen shërbëtorët e tij, Herodi nuk ishte përgatitur për lajmin që do dëgjonte.

“Imzot, burrat nuk janë në Betlehem. Ata kanë ikur. Kërkuam gjithandej por nuk pamë gjurmë të tyre. Më në fund, pyetëm disa prej njerëzve se ku kishin shkuar dhe ata na thanë që nuk e dinin, përveç që ishin larguar në mes të natës dhe po udhëtonin me të shpejtë drejt shkretëtirave të lindjes.”

Trupin e sëmurë të Herodit e zunë ca të kollitura të thella. Fytyra e tij u skuq dhe sytë ju zgurdulluan nga zemërimi. “Roje! Roje!” bërtiti ai dhe menjëherë shumë ushtarë u shfaqën para tij duke u përkulur. “Shpejt! Armatosuni dhe shkoni menjëherë në Betlehem! Dua që të vrisni çdo djalë një vit e poshtë. Jo, dy vjet e poshtë. Shkoni edhe në fshatrat e tjera të vogla të zonës. Duhet të sigurohemi.”

“Imzot?” një prej ushtarve nisi të vinte në dyshim këtë urdhër të çmendur por mbreti i tha, “Bëni si po ju them! Në vend po ndodh një kryengritje. Ka një uzurpues. Ka një rrebelim. Dikush do të zërë fronin tim. Unë jam Herodi i Madh. Unë jam mbreti. Vritini të gjithë. Vrisni djemtë nga dy vjet e poshtë. Bëjeni tani! Dhe pastaj më raportoni emrin e çdo familjeje dhe çdo fëmije.”

“Në Ramë u dëgjua një klithmë,

një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe;

Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet,

sepse ata nuk janë më.”

Ushtarët shkuan derë më derë dhe i nxorrën jashtë familjet në mes të natës. Klithmat e tmerrit dhe ankthit mbushën rrugët e fshatit. Kur burrat u përpoqën të rezistonin dhe të mbronin familjet e tyre u prenë me shpata. Kur gratë i mbanin fëmijët përqafuar dhe duke qarë provuan edhe ato tehun e shpatës. Por kur ushtarët shkuan në shtëpinë ku kishin jetuar për disa muaj Jozefi, Maria dhe Jezusi nuk gjetën asgjë.

Familja e tyre po udhëtonte larg drejt Egjiptit. Fytyrat e tyre ishin plot shqetësim. Herë pas here Jozefi shihte pas për të parë nëse po i ndiqte dikush, por me çdo kilometër që kalonin përjetonin një paqe më të thellë në zemrat e tyre.

Nuk kishin pasur kohë të mblidhnin plaçkat për shkak se donin të udhëtonin sa më lehtë. Po mes plaçkave të tyre kishin futur të sigurta dhuratat e dijetarëve – arin bashkë me temjanin dhe mirrën e çmuar, furnizime prej Perëndisë së qiellit për këtë udhëtim të papritur në një vend të huaj.

Kështu Jozefi, Maria dhe Jezusi udhëtuan drejt Egjiptit. Shumë shekuj me parë Abrahami, ati i tyre kishte ecur nëpër këtë rrugë. Kështu kishte bërë edhe Jozefi, dhe Jakobi me fëmijët e tij të tjerë kur shkuan të strehoeshin në Egjipt për shkak të zisë së bukës që solli vdekje në tokën e premtuar. Sërish vdekja sundonte në tokën e premtuar. Perëndia vështroi dhe vajtoi me popullin e tij.

Por Perëndia pa diçka tjetër. Perëndia pa birin e Tij në Egijpt. E pa birin e tij në krahët e një çifti të ri Judenjsh të cilëve ua kishte besuar dhe e dinte që plani i tij për botën ishte i sigurtë.


Reader's opinions

Leave a Reply


Current track

Title

Artist