Familja e Shenjtë në Bethlehem dhe Jerusalem

Written by on 11/12/2019

Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve! Në këtë ditë kremtojmë lindjen e Shpëtimtarit të botës. Po, është e vërtetë që ai mund të mos ketë lindur në këtë ditë, por shekujt e traditës kanë zgjedhur këtë ditë për të festuar. Sa të jemi në këtë botë nuk do ta dimë ditën e saktë, dhe në fakt nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që ai ka ardhur dhe bota nuk është më njësoj.

Në vitin 1926 Dr. Alan Francis dha një predikim në të cilin tha për Jezusin:

Ai ishte një njeri i lindur në një fshat të prapambetur, fëmija i një gruaje fshatare hebreje. Ai u rrit në një fshat tjetër të prapambetur. Punoi në një zdrukthëtari derisa u bë 30 vjeç dhe pastaj për tre vjet ai qe një predikues shëtitës.

Ai nuk shkruajti kurrë ndonjë libër. Nuk pati kurrë ndonjë post. Nuk pati kurrë një shtëpi. Nuk pati kurrë një familje. Ai nuk shkoi kurrë në gjimnaz. Ai nuk shkeli kurrë në një qytet të madh. Nuk udhëtoi kurrë 300 kilometra larg vendlindjes së tij. Nuk bëri kurrë as edhe një nga gjërat që zakonisht shoqërojnë të madhërishmen. Ai nuk kishte asnjë përkrahje prej të tjerëve por ishte i vetëm.

Ndërsa ishte ende i ri vala e opinionit publik u kthye kundër Tij. Shokët e Tij e lanë vetëm. Madje njëri prej tyre e tradhëtoi dhe një tjetër e mohoi. Ai u dorëzua në duart e armiqve të Tij.  Duroi një gjyq qesharak. U gozhdua në një kryq mes dy hajdutëve. Ndërsa Ai po vdiste, egzekutuesit e Tij luajtën kumar për më të vetmen copë pasurie që kishte mbi tokë – kjo ishte tunika e tij. Kur vdiq e zbritën dhe e vendosën në një varr të marrë hua si rezultat i keqardhjes së një miku .

Njëzetë shekuj të gjatë kanë ardhur dhe kanë shkuar, dhe sot në fundshekullin e 21-të Ai është epiqendra e racës njerëzore dhe udhëheqësi i kolonës së progresit. Prandaj me plot të drejtë mund them se të gjitha ushtritë që kanë marshuar ndonjëherë, të gjitha anijet që janë ndërtuar ndonjëherë, të gjitha parlamentet që janë mbledhur ndonjëherë, dhe të gjithë mbretërit që kanë mbretëruar ndonjëherë të marra së bashku nuk e kanë ndikuar jetën e njeriut mbi këtë botë aq fuqishëm sa ajo, Një Jetë e Vetme.

Pse e ka ndikuar botën ajo foshnjë aq shumë sa ka bërë? Kjo është për shkak të faktit se kush është ai. Ai ishte Biri i Shumë të Lartit Perëndi. Ai ishte Krishti, Zoti. Ai ishte Emanueli – Perëndia me ne. Ai ishte Jezusi që i shpëton njerëzit e tij nga mëkatet e tyre.

Nuk e dimë sa kohë qëndroi Jozefi dhe Maria në atë vend ku lindi Jezusi. Jozefi duke qenë një burrë i mirë dhe punëtor ka të ngjarë që nisi të kërkonte diçka më të qëndrushme dhe më private për familjen e tij të vogël. Ai gjithashtu do fillonte të kërkonte punë dhe më në fund e gjetën një vend.

Tetë ditë pasi lindi Jezusi, ishte momenti që ta paraqisnin tek prifti i fshatit për ta rrethprerë, ashtu si kishte bërë Zakaria dhe Elizabeta para disa muajsh me djalin e tyre Gjonin, jo shumë larg prej këtej në malësinë e Judesë, në veri të Jerusalemit. Ndryshe nga Zakaria që nuk mund të fliste dhe të vendoste emrin e djalit të tij, Jozefi mund ta bënte.

Ata i shpjeguan priftit kush ishin dhe që kishin ardhur në Betlehem për t’u regjistruar.

“Por pse duhej të vinit? A nuk mund të prisnit derisa bebi të lindte dhe pastaj të nisnit udhëtimin? Pse duhej ta sillje gruan tënde me vete? Ke rrezikuar shumë! Sigurisht që ajo mund të qëndronte me familjen e saj në Nazaret dhe mund të kishe ardhur vetëm ti,” i tha prifti.

“Po, dhe jo,” i tha Jozefi. “Ajo duhej të vinte. Është histori e gjatë dhe paksa e ndërlikuar, por Perëndia ishte me ne dhe ja ku jemi të tre këtu, shëndoshë e mirë – lavdi Perëndisë. Tani jemi gati që ta rrethpresim djalin për ta përfshirë në besëlidhjen e etërve tanë.”

Prifti nuk tha më gjë. E vendosi bebin para tij mbi një jastëk të mbështjellë me rroba që të mos bëhej pis me gjak dhe e pyeti babain. “Si është emri i birit tënd?”

Jozefi iu përgjigj, “Emri i tij do jetë Jezus.”

Prifti ngriti thikën dhe tha, “I bekuar je Ti o Zot Perëndia ynë, Mbreti i Universit që na ke shenjtëruar përmes urdhërimeve të Tua; na ke kërkuar të kryejmë porosinë e rrethprerjes.”

Pastaj ai bëri prerjen, Jezusi qau dhe gjaku i tij i çmuar rrodhi për një moment. Prifti vendosi një rrobë të pastër tek prerja dhe u kërkoi prindërve që ta mbanin atje për të ndaluar rrjedhjen e gjakut. Pastaj ai pa nga Jozefi që edhe ai të bënte pjesën e vet në këtë ceremoni. Ai tha,

“ I bekuar je Ti o Zot Perëndia ynë, Mbreti i Universit që na ke shenjtëruar përmes urdhërimeve të Tua dhe na ke urdhëruar që ta përfshijmë këtë foshnjë në besëlidhjen e Abrahamit atit tonë.” Pastaj Jozefi, Maria dhe Jezusi u kthyen në shtëpi.

Jozefi dhe Maria jetuan edhe një muaj tjetër të lumtur në Betlehem. Jozefi kishte gjetur punë dhe tani po bëheshin pjesë e jetës së fshatit Betlehem. Njerëzit ishin miqësorë dhe mikpritës duke i përfshirë në komunitetin e tyre. Ata bënë shumë pyetje prandaj Jozefi dhe Maria duhej të tregoheshin shumë të kujdesshëm për mënyrën si përgjigjeshin. Ata dëshironin shumë që t’u tregonin të gjithëve kush ishte fëmija i tyre por kush do t’i kuptonte? Kush do t’i besonte? Ata ishin sërish duke u përballur me problemet e tyre të vjetra, kështu nisën të kuptojnë që jeta e tyre nuk do ishte më normale.

Ditën e 41 pas lindjes ishte momenti që ta çonin Jezusin në tempull për të ofruar flijimin e pastrimit. Ligji i Moisiut thoshte që tetë ditë pas lindjes djemtë duhej të rrethpriteshin. Pastaj 33 ditë më pas duhej ta paraqisnin djalin tek një prift në vendin ku banonte Perëndia dhe duhej të ofronin një sakrificë pastrimi nga papastërtia ceremoniale. Ata duhej të ofronin një qingj motal si holokaust dhe një pëllumb si flijim për mëkatin. Por nëse çifti nuk kishte mundësi të ofronte një qingj mund të ofronin dy zogj, një si holokaust dhe tjetrin si flijim për mëkatin.

Jozefi dhe Maria ishin të varfër. Jeta ishte e vështirë në Nazaret dhe sapo kishin përfunduar një udhëtim prej 130 kilometrash deri në Betlehem. Ata kishin një shtëpi të re për të cilën duhej të paguanin qera dhe ushqim për të siguruar prandaj gjithë sa mund t’i ofronin Zotit ishin dy pëllumba.

Ata iu afruan tempullit dhe hynë në oborrin e johebrenjve. Pastaj kaluan në oborrin e grave dhe Jozefi do t’i çonte dy pëllumbat në oborrin e brendshëm ku do të ofroheshin sakrificat dhe atje mund të hynin vetëm burrat. Por para se Jozefi të largohej nga Maria një burrë plak nisi të ecte drejt tyre. Emri i tij ishte Simeon. Ai ishte njeri i drejtë dhe i devotshëm. Ai priste që Perëndia të dërgonte Mesian e tij në botë. Oh sa shumë që dëshironte që Mesia të vinte dhe të sillte ngushëllim në popullin e Izraelit që kishte vuajtur për shumë kohë nga disa perandori pagane. Simeoni ishte gjithashtu një burrë i mbushur me Frymën e Shenjtë. Kjo ishte një gjë e rrallë në Izraelin e lashtë. Vetëm mbretërit, profetët, gjyqtarët, priftërinjtë dhe udhëheqësit e merrnin Frymën e Shenjtë dhe madje jo të gjithë prej tyre. Por Fryma ishte mbi Simeonin.

Një ditë Simeoni po lutej dhe po mendonte për profecitë e mbretit që do të vinte. Ai tha, “O Zot, unë jam një burrë plak. Dëshiroj shumë të shoh shpëtimin tënd. Dëshiroj të shoh ngushëllimin e Izraelit,” dhe atë ditë Perëndi i foli.

“Simeon, Simeon, kam diçka për të të thënë.”

“Po Zot, këtu jam. Po të dëgjoj.”

“Simeon, ti më ke shërbyer me besnikëri për shumë vjet. Ti je lutur dhe ke dëshiruar ardhjen e mbretërisë time. Simeon, ti nuk ke për të vdekur para se sytë e tu të shohin shpëtimin që Unë kam përgatitur për Izraelin dhe botën. Simeon, rri syçelur. Ji i vëmendshëm. Shpëtimi po afron.”

Ditë pas dite Simeoni vinte në Tempull ashtu si e kishte zakon. Sa ditë kishte hyrë në tempull për të parë dhe nuk e gjeti Shpëtimtarin? A kaluan javë, muaj? Por Simeoni e dinte që kishte dëgjuar zërin e Perëndisë dhe me besnikëri erdhi të shihte.

Një ditë, ndërsa Simeoni ishte në Tempull zemra e tij i gufoi. “Zot, mos është kjo dita?” Ai hodhi vështrimin në oborrin e Tempullit dhe atje pa një çift të ri që hyri tek Oborri i grave dhe Fryma e Perëndisë i tha, “Kjo është familja. Nëna është duke mbajtur shpëtimtarin.”

Simeoni eci drejt prindërve dhe u tha, “Ju lutem, a mund ta mbaj pak foshnjën?” Maria pa nga Jozefi dhe ai pohoi me kokë. Pastaj Maria ia dha foshnjën në duar Simeonit të moshuar i cili nis të qante, por këto nuk ishin lotë zhgënjimi apo të moshës së shkuar po ishin lot gëzimi. Simeoni ngriti fytyrën drejt qiellit dhe tha, “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.”

Jozefi dhe Maria panë të mahnitur ndërsa Simeoni bekoi Perëndinë dhe profetizoi për bebin e tyre. Ata kishin qenë tepër të kujdesshëm që ta mbanin të fshehtë identitetin e tij. Nga e dinte Simeoni? Por tani e dinin që asgjë nuk ishte e pamundur me Perëndinë prandaj qëndruan në qetësi dhe dëgjuan fjalët që po shqiptonte Simeoni.

Pastaj Simeoni i uli sytë nga qielli dhe me dashuri pa nga Jozefi dhe Maria duke i bekuar. Pastaj u fokusua tek Maria dhe fytyra e tij u bë serioze dhe me një ndjenjë urgjence i tha,  “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh, edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.” Simeoni ua ktheu fëmijën prindërve, doli nga tempulli dhe nuk e panë më kurrë.

Maria po e mbante Jezusin pranë vetes dhe po shihte nga Jozefi dhe para se të thoshte qoftë edhe një fjalë erdhi profetesha Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin. Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje. Edhe ajo erdhi në atë moment tek Jozefi dhe Maria, e pa bebin dhe nisi të thoshte me zë të lartë

“Lavdi Perëndisë. Ai e ka sjellë shpëtimin e tij në Izrael. E shihni, e shihni këtë çift të ri. Ajo mban shpëtimtarin. Ajo mban Mesian.” Ana u largua nga Jozefi dhe Maria. Ajo nisi t’u fliste njerëzve dhe t’ju tregonte Jozefin dhe Marinë. “Ajo mban shpëtimtarin. Ajo mban mesian. Ajo mban shpëtimtarin.”

Jozefi dhe Maria u larguan. Jozefi shkoi në oborrin e brendshëm për të ofruar flijimet ndërsa Maria qëndroi në oborrin e grave me Jezusin. Jozefi ofroi sakrificat ashtu si kërkohej nga ligji i Moisiut, u kthye tek oborri i grave dhe shpejt u larguan nga tempulli.

Ata ende mund ta dëgjonin Anën që po thoshte, “Ai ka ardhur. Ai ka ardhur. Mesia ka ardhur.” Por askush nuk i kushtoi shumë vemendje atyre që po thoshte një grua plakë që kishte kaluar ditë më të mira.

Jozefi dhe Maria u kthyen në Betlehem. “Jozef, çfarë do bëjmë? Nëse njerëzit vazhdojnë të vijnë tek ne kështu, nuk do jemi në gjëndje të qëndrojmë këtu. Dëshiroj paqe dhe një jetë të thjeshtë për ta rritur fëmijën tonë. Në fillim erdhën barinjtë, pastaj biseda me priftin që na bëri shumë pyetje dhe sot bisedat në Tempull. A do i vijë ndonjëherë fundi kësaj gjëje?”

“E di Mari. Ndoshta kjo mjafton për një farë kohe. Nuk kemi më sakrifica për të ofruar. Ndoshta mund t’u kthehemi me qetësi punëve tona në Betlehem.”

Por shumë larg ishte një karvan njerëzisht të çuditshëm që ngadalë por me këmbëngulje po i afroheshin Jerusalemit. Ata po kërkonin mbretin e Judenjve që kishte lindur.


Reader's opinions

Leave a Reply


Current track

Title

Artist