Kush do të shkojë në parajsë
Written by Eftali Baraku on 27/05/2025
Supozoni se po qëndronit para Zotit tani dhe Ai ju pyet: “Pse duhet t’ju lejoj të hyni në parajsë?” Çfarë do të thoshit?
Njerëzit kanë ide të ndryshme rreth parajsës. Shumë nuk e kuptojnë fare Zotin, por prapëseprapë u pëlqen ta mendojnë parajsën si “vendin më të mirë” ku shkojmë të gjithë kur vdesim.
Idetë rreth parajsës shpesh nuk janë gjë tjetër veçse shpresa të paqarta, si të thuash “ndoshta do të fitoj lotarinë një ditë“. Shumica e njerëzve nuk mendojnë shumë për parajsën derisa marrin pjesë në një funeral, ose kur ju vdes një i dashur. Është e zakonshme t’i referohemi parajsës si vendi ku “shkojnë njerëzit e mirë”. Sigurisht, të gjithë ata që e njohin dhe e duan përfshihen në kategorinë e “njerëzve të mirë”.
Por Bibla ka shumë për të thënë për jetën pas vdekjes dhe kjo bie ndesh me mendimin popullor. Gjoni 3:16 thotë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”
Pastaj në vargun 36, Jezusi vazhdon duke thënë: “Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”
Hebrenjve 9:27 thotë: “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi.” Pra, të gjithë vdesin, por jo të gjithë shkojnë në parajsë.
Luka 12:4-5 Jezusi tha: “Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.5 Unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë.”
Romakëve 6:23: “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.”
Perëndia është i shenjtë dhe i përsosur. Qielli, vendi i tij i banimit, është gjithashtu i shenjtë dhe i përsosur (Psalmi 68:5; Nehemia 1:5; Zbulesa 11:19). Sipas Romakëve 3:10: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.”. Asnjë qenie njerëzore nuk është e shenjtë dhe e përsosur. Askush nuk është “mjaftueshëm i mirë” për parajsën.
Njerëzit që ne i quajmë “të mirë” nuk janë aspak të mirë krahasuar me përsosmërinë pa mëkat të Perëndisë!
Nëse Perëndia do t’i lejonte njerëzit mëkatarë të hynin në përsosmërinë e parajsës, ai vend nuk do të ishte më i përsosur. Atëherë do të ndotej me mëkat, ashtu siç është toka tani.
Çfarë standardi duhet të përdoret për të përcaktuar se kush është “mjaftueshëm i mirë”?
Standardi i Perëndisë është i vetmi që ka rëndësi dhe Ai tashmë e ka vendosur. Romakëve 3:23 thotë se “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë”. Paga për atë mëkat është ndarja e përjetshme nga Perëndia (Romakëve 6:23).