Vizioni në tempull

Written by on 11/12/2019

Gjithçka filloi në malësinë e Judesë. Një prift i moshuar i quajtur Zakaria e pa gruan e tij Elizabetën dhe buzëqeshi. Ajo ishte po aq e bukur sa në fillim kur ishin martuar. Sytë ishin paksa të perënduar dhe kishte një rrudhë rreth buzëve por ai nuk do t’ia thoshte kurrë këtë gjë! Gjithsesi këto nuk kishin rëndësi për të pasi bukuria e saj e brendëshme përputhej me atë të jashtme në fytyrën e saj plot shkëlqim.

Kishte ardhur momenti që Zakaria të udhëtonte drejt Jerusalemit. Dy herë në vit, Zakaria dhe rreth 50 priftërinj të tjerë udhëtonin për në Jerusalem në mënyrë që të përmbushnin detyrat e tyre në Tempullin e Zotit. Ky ishte një privilegj i madh dhe diçka të cilën Zakaria e bënte me nderimin më të thellë për Zotin. Zakaria ishte një burrë i mirë. Ai ishte i drejtë në sytë e Perëndisë dhe ecte në mënyrë të paqortueshme në të gjitha urdhërimet dhe porositë e Zotit. Zemra e tij ishte në rregull me Perëndinë dhe me gruan e tij Elizabetën. Elizabeta ishte i vetmi shqetësim në atë ditë të bukur pasi do t’i duhet ta linte vetëm për dy javë ndërsa ai do të shkonte të shërbente në Tempull.

“E urrej faktin që do të lë vetëm e dashur,” i tha Zakaria.

“Oh, Zak, ti gjithmonë këtë thua, por unë mund ta dalloj ngazëllimin në sytë e tu kur afrohet kohë që t’i të ikesh. Këtu je si në kafaz, duke shkuar lart e poshtë dhe mezi pret të fillosh.”

“Jo, e kam me gjithë mend. E urrej faktin që do të lë vetëm.”

“Lëri këto,” i tha Elizabeta. “E di që do të marrë malli për mua por nuk ka problem që po ikën. Kjo është për Zotin Perëndinë tonë të cilin duhet ta duam më shumë se çdo gjë dhe çdokënd. Përveç kësaj, janë vetëm dy javë. Shumë shpejt do kthehesh në shtëpi dhe gjërat do jenë si duhet. Edhe një gjë tjetër plakush, nuk po bëhesh më i ri dhe do të vijë dita kur detyrat e tua në Tempull do të përmbushen dhe atëherë priftërinjtë e rinj do të zënë vendin tënd.”

Zakaria pohoi me kokë. Ai e puthi bashkëshorten e tij dhe doli jashtë. Ajo buzëqeshi dhe ia bëri me dorë. Kur ai e përshëndeti gjithashtu mund ta dallonte që ajo po buzëqeshte por në sytë e saj kishte edhe dhimbje, këtë dhimbje ai mund ta ndiente në zemrën e tij. Ai po plakej, po kështu edhe Elizabeta. Por nuk ishin vitet e tyre të shumta ato që e shqetësonin atë. Nuk ishte realiteti që një ditë do të ishte tepër i moshuar për të shërbyer në Tempull. Nuk ishte fakti që në fund të udhëtimit të jetës së tij e priste vdekja ashtu si ndodhte me të gjithë. Asnjë prej këtyre gjërave nuk e shqetësonte. Ajo që i sillte brengë zemrës së tij ishte që Elizabeta nuk kishte lindur fëmijë.

Kur u martuan, para shumë vitesh, ashtu si çdo çift i ri ata ëndërronin për një jetë të bukur së bashku plot me gëzimin dhe të qeshurat e fëmijëve. Pas një viti, kur Elizabeta nuk kishte ngelur shtatzënë nuk e menduan shumë këtë punë. Por pas dy dhe tre vitesh ata nisën të vrisnin mendjen dhe të shqetësoheshin.

“Ndoshta Perëndia po na ndëshkon?” e pyeti Elizabeta një ditë. “Për çfarë?” ia ktheu Zakaria. “Unë i kam shërbyer Atij me gjithë zemër, edhe ti ke bërë të njëjtën gjë. Duhet të vazhdojmë të besojmë. Duhet të vazhdojmë të lutemi.” Kështu bënë, u lutën, muaj pas muaji, vit pas viti. Nganjëherë luteshin bashkë. Nganjëherë Zakaria dilte shëtitje vetëm nëpër kodra duke iu përgjëruar Perëndisë për një fëmijë. Elizabeta zgjohej në mes të natës dhe i përgjërohej Zotit për një fëmijë. Kur ajo shkonte në tempull kujtonte historinë e Hanës, sesi ajo e kishte hapur zemrën para Zotit. Ajo mendoi për historitë e Sarës, Rebekës dhe grave të tjera që kishin qenë shterpa. Për disa vite ato histori ia inkurajuan zemrën, por pas disa dekadave zhgënjim këto histori i shkaktonin vetëm dhimbje. Perëndia iu përgjigj lutjeve të tyre. Sarës i lindi Isaku, Rebekës i lindën Jakobi dhe Esau, Hanës i lindi Samueli, po Elizabetës? Zbrazëtia e shtëpisë së tyre të vogël i kujtonte mes dhimbjesh që Perëndia ishte i heshtur karshi përgjërimit të saj.

Elizabeta i qëndroi besnike Zotit dhe ishte mirënjohëse për bashkëshortin e saj Zakarian i cili e deshi përgjatë gjithë viteve të shterpësisë. Burrat e tjerë i ndanin gratë nëse nuk mund t’u lindnin fëmijë dhe martoheshin me vajza të reja. Zakaria i qëndroi besnik Elizabetës dhe pa u lëkundur refuzoi të shfrytëzonte ligjet e kollajshme për t’u ndarë. Por çfarë i kishin sjellë ato vite besnikërie? Vetëm një shtëpi të zbrazët.

Zakaria dhe grupi i tij i priftërinjve tani po i afroheshin Jerusalemit dhe gëzimi i të qenurit në qytetin e Davidit për t’i shërbyer Zotit në tempullin e tij ia mbushi zemrën me ngazëllim. Dhimbja e largimit prej Elizabetës dhe brenga e të mos paturit një djalë tani ishin larg mendjes së tij ndërsa qyteti po dukej para tyre dhe në pikën më të lartë në mes të qytetit ishte vendbanimi i Perëndisë.

Pastaj Zakaria psherëtiu sërish kur pa fortesën Antonia ku gjendej garnizoni Romak. “Edhe sa kohë o Zot? Sa kohë duhet të presim që Ti të dërgosh të vajosurin? Sa kohë duhet të presim që të vijë mbretëria jote? Sa kohë duhet të durojmë këtë sakrilegj në duart e paganëve pa perëndi?”

Gjëndja e Zakarias kalonte nga gëzimi në zymtësi. Gëzim për shkak se ishte në qytetin e Davidit. Zymtësi për shkak të lutjeve të papërgjigjura. Nuk kishte një bir, dhe as mbretëri. Nuk kishte një bir dhe mbretëria e Romës sundonte në qytetin e shenjtë. Ndërsa Zakaria po u afrohej portave të Tempullit, u drodh kur pa shqiponjën e gjigande prej ari, simbolin e Romës, të cilën Herodi e kishte vendosur atje; kjo u kujtonte që gjërat nuk po shkonin mirë për Izraelin. Një kujtim që ai që kishte thënë se ishte mbreti i Judenjve nuk ishte fare mbret por thjesht një tiran.

Zakaria i la mënjanë mendimet e tij të zymta. Ai kishte punë për të bërë. Ishte bekim të ishte në tempullin e Zotit. Zakaria nisi të recitonte me qetësi fjalët e një psalmi të cilin priftërinjtë e kishin shkruar shekuj më parë.

U gëzova kur më thanë:

“Shkojmë në shtëpinë e Zotit”.

Këmbët tona u ndalën

brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar

si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit,

për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin,

fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit,

le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua

dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi

dhe të miqve të mi tani do të them:

“Paqja qoftë te ti”.

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë,

unë do të kërkoj të mirën tënde.

Zakaria sërish po ndihej më mirë. Fjala e Perëndisë e inkurajoi zemrën e tij kur po përshëndetej me shokët e tij nga klasa priftërore e Abijahut me të cilin kishte shërbyer për vite të tëra. Zemra e tij u mbush sërish me gëzim. “Shalom – Zoti qoftë me ty! Sa mirë që të takoj sërish!” Këto fjalë thoshte Zakaria ndërsa përqafonte secilin prej tyre.

Çdo mëngjes burrat mblidheshin tek Salla e Gurit të Zgdhëndur. Ndërsa priftërinjtë mblidheshin në këtë vend të shenjtë, hidhnin shortin për të caktuar detyrat e ditës. Shorti i parë caktonte detyrat e përgatitjes për gjithë aktivitetet e ditës. Pastaj hidhnin short për ata që do të bënin secilën detyrë. Më në fund hidhnin short edhe një herë të tretë dhe zgjidhnin priftin që do të shkonte në vendin e shenjtë për të vendosur temjanin mbi altar. Temjani ishte simbol i lutjes që ngrihej drejt Perëndisë dhe ky ishte një privilegj goxha i veçantë. Një prift mund ta kishte këtë nder vetëm një herë në jetën e tij dhe pas kësaj konsiderohej “i pasur.”

Një mëngjes Zakaria dhe priftërinjtë e tjerë po vendosnin se kush do të bënte detyrat e asaj dite. Kishin hedhur short për përgatitjet e ditës por emri i Zakarias nuk u thirr. Hodhën short për shumë punë që do të bëheshin gjatë ditës dhe sërish emri i Zakarias nuk u zgjodh. Pastaj erdhi radha për të hedhur shortin e tretë, shorti që do të përcaktonte se kush do të hynte në vendin e shenjtë dhe të digjte temjan. Kur u hodh shorti u zgjodh Zakaria për të djegur temjanin para Perëndisë, një simbol ky i lutjeve të shenjta që ngjiteshin drejt Perëndisë që i dëgjon ato.

Zakaria u mahnit. Mundësia që të vjen vetëm një herë në jetë tani ishte para tij, mos vallë kjo ishte një shaka katile. Pse u zgjodh ai për të ofruar temjanin? Pse u zgjodh ai që të kryente ritualin e simbolit të lutjeve? Oh, Zakaria e dinte si të lutej. Ai ishte lutur gjithë jetën e tij dhe i pëlqente të lutej por një lutje ende pa përgjigje e brente zemrën e tij dhe Zakaria nuk ndihej i denjë të hynte në vendin e shenjtë. Pse nuk iu dha ky privilegj kur ishte i ri, atëherë kur kishte ende gjallëri dhe jetë, atëherë kur kishte ende shpresë për një bir? Pse do i duhej të ofronte temjanin e lutjes kur Perëndia nuk e kishte dëgjuar lutjen e tij, atë lutje që e kishte në zemrën e vet?

Burrat e uruan Zakarian duke mos e ditur përleshjen në zemrën e tij dhe pastaj u shpërndanë për të kryer detyrat e tyre. Më në fund erdhi momenti që Zakaria të ofronte temjanin. Ai u lut dhe recitoi shumë vargje nga Ligji i Moisiut ku përfshihej edhe Shema, rrëfimi i madh i besimit. “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm. Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde. Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde.”

Pastaj rrëfimi i Zakarias nisi të lëkundej disi ndërsa po thoshte fjalët në vazhdim:

“do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.”

Zakaria e mbaroi rrëfimin dhe zgjodhi dy burra që do ta ndihmonin. Ndihmësi i parë u fut para tij dhe largoi thëngjijtë e mbetur bashkë me temjanin nga dita e kaluar. I dyti mori disa thëngjij nga altari i sakrificave dhe i vendosi mbi altarin e lutjes. Pastja që të dy dolë nga vendi i shenjtë duke ecur mbrapsh, u përkulën me adhurim dhe u kthyen tek adhuruesit e tjerë që në këtë moment ishin bërë disa qindra në oborr. Që të gjithë u përkulën para Zotit ndërsa Zakaria nisi të ecte përpara.

Ai hyri në Vendin e Shenjtë. Ishte madhështor. Nga njëra anë ishte tryeza e bukëve të paraqitjes. Në anën tjetër ishte shandani me shtatë degë që bënte dritë. Atje ishte dhe altari me thëngjijtë mbi të cilët digjej çdo ditë temjan. Ai e vendosi temjanin mbi altar dhe u tërhoq. Priti të largohej derisa të shihte që temjani të ishte ndezur dhe tymi të ngrihej lart drejt Perëndisë ashtu si lutjet e popullit të tij po drejtoheshin drejt qiellit.

Në atë moment sytë e Zakarias u hapën tej mase dhe frika ia pushtoi zemrën. Dikush po qëndronte përkrah altarit. Dikush me rroba verbuese. A ishte një njeri? Mos ishte një engjëll? Ky person i tha, “Zakaria mos ki frikë.”


Reader's opinions

Leave a Reply


Continue reading

Current track

Title

Artist