Bëhu i durueshëm

Written by on 09/11/2021

Titulli për këtë mësim është: “Bëhu i durueshëm“. Teksti kryesor është marrë nga seria e studimeve mbi Letrën e Jakobit. Jakobi 5:7-12. Do të shohim vargje të veçanta gjatë trajtimit të mësimit tonë për ditën e sotme.

Në gjashtë vargjet e mëparshme Jakobi qortonte me forcë njerëzit pa besim, të pasurit abuzivë. Në pasazhin tonë, Jakobi ngushëllon besimtarët, veçanërisht për vuajtjet e tyre, shpesh për shkak të abuzimit. Jakobi nxit durimin, që besimtarët si atëherë, por edhe sot, duhet të përpiqen ta kultivojne.

Për shumicën prej nesh durimi është një virtyt i vështirë për t’u vënë në praktikë. Durimi praktikohet edhe më pak kur vuajmë. Pra, të thuash ‘bëhu i durueshëm’ thuhet lehtë, megjithatë arrihet shumë rrallë kur goditemi nga problemet.

Një nga frytet e Frymës së Shenjtë që banon brenda nesh, brenda besimtarëve, është durimi sipas Galatasve kapitulli 5 dhe vargu 22. Prandaj, fuqia për të qenë të durueshëm është e disponueshme, megjithatë ne duhet ta shfrytëzojmë këtë virtyt duke iu dorëzuar Frymës së Shenjtë, si ndihmësi ynë për të pasur durim. Por a është i mundur durimi edhe në vuajtje?

Xhei. Ai. Paker, një i krishterë i mençur ka thënë: “Durim do të thotë të jetosh duke besuar se Perëndia urdhëron çdo gjë për të mirën shpirtërore të bijve të Tij.”  Me siguri, ne e dimë që Zoti kurrë nuk bën gabime. Durimi vjen nga besimi.

Askush nuk mendon se durimi kur vuan është i lehtë. Zoti nuk ka thënë se do të jetë e lehtë, megjithatë, Zoti ka deklaruar se me ndihmën e Tij dhe bashkëpunimin tonë, ne mund të jemi të durueshëm. Si mund ta dimë këtë me siguri? Sigurisht, duke parë Shkrimet e Shenjta. Shihni Romakëve 12, vargu 12: “Të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje.”. Prandaj, ne duhet ta pyesim veten në lidhje me këtë këshillë: A do të na sfidonte Zoti në lidhje me këto gjëra, nëse do të ishin të pamundura? Kjo do të ishte mizore, por Zoti nuk është mizor, Ai i do fëmijët e Tij. Durimi në vuajtje është i mundur.

Le të mësojmë nga mençuria e Zotit, i cili frymëzoi Jakobin për të na transmetuar këto fjalë. Jakobit kapitulli 5 dhe vargu 7A: “Tani, pra, vëllezër, jini të durueshëm deri në ardhjen e Zotit…” Fjala origjinale greke ‘durim’ është një fjalë e përbërë që do të thotë zemërim i zgjatur. Ky term grek i ‘zemërimit të zgjatur’ i referohet faktit e të paturit një durim të zgjatur ndaj njerëzve të vështirë, më shumë sesa ndaj rrethanave të vështira, për të cilat në të vërtetë përdoret një fjalë tjetër greke, sipas studiuesve të gjuhës greke. E njëjta fjalë e përbërë greke është përdorur për shembull në 1 Thesalonikasve, kapitulli 5, vargu 14 që thotë: “Jini të durueshëm me të gjithë”. Shumë hebrenj të krishterë, të cilëve Jakobi po u shkruante, po vuanin për shkak të njerëzve abuzivë, që i persekutonin për shkak të besimit të tyre të krishterë. Sot, për shkak të besimit shumë të krishterë besimtarë vazhdojnë të persekutohen nga talljet e njerëzve dhe për këtë gjë duhet shumë durim. Kjo është një nga temat kryesore të Jakobit në letrën e tij, një tjetër provë e besimit të mirëfilltë është shfaqja e durimit tonë përpara persekutimit.

Jakobi na jep shumë aspekte praktike në këshillën e tij për të qenë të durueshëm. E para, është kohëzgjatja e durimit tonë e cila është “deri në ardhjen e Zotit”. Ndoshta, duke kujtuar besimtarët e atëhershëm dhe të sotëm, se përndjekja e njerëzve dhe rrethanave nuk do të jenë gjithmonë, siç janë tani në epokën e kishës. Kur Zoti të vijë për kishën e tij, të gjithë do të ndryshojnë rrënjësisht, sepse më e mira do të vijë kur të jemi me Zotin. Nevoja për durim do të ketë kaluar përgjithmonë në trupat tanë të përlëvduar larg përndjekësve.

Sot, në vende si Kina, Koreja e Veriut dhe Irani të krishterët më të përndjekur janë ata që dëshirojnë më shumë ardhjen e Zotit!

Fjala greke për “ardhjen” është “Parousin”. Ky term do të thotë më shumë sesa ardhje, ky term përfshin në tërësi idetë e “pranisë” dhe “mbërritjes”. Kjo është prania dhe ardhja e Zotit për të marrë kishën e Tij! Kjo shpresë dhe e vërtetë e shumë pritur na paraqitet në më shumë se 500 vargje në të gjithë Shkrimin e Shenjtë. Merrni parasysh, për shembull, Titin kapitulli 2 dhe vargun 13: “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.” Vini re, se Jezu Krishti përveçëse është Shpëtimtari ynë i madh është edhe Zoti ynë i madh.

Shpresa e sigurt e kthimit të Krishtit për kishën e Tij është veçanërisht ngushëlluese për ata prej nesh që pësojnë vuajtje dhe persekutime. Apostulli Pal e përjetoi këtë gjë siç shkroi në letrën e Romakëve kapitulli 8 dhe vargu 18: ” Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.” Në trupat tanë të përlëvduar ne kurrë nuk do të vuajmë dhe as nuk do të persekutohemi më!

Jakobi pastaj shkroi një ilustrim shumë të thjeshtë, të përshtatshëm për një shoqëri kryesisht agrare. Jakobit 5, vargu 7B: “Shikoni si e pret me durim bujku frytin e çmuar të tokës, deri sa të marrë shiun e parë dhe të fundit.”. Pra, ashtu si fermeri duhet të presë me durim dhe të shpresojë që toka e tij të prodhojë të korrat e tij, ashtu edhe ne duhet të presim me durim në pritje dhe me shpresën tonë të sigurt në ardhjen e Zotit tonë, Jezu Krisht. Megjithatë, fermeri duhet të presë me durim në varësi të faktorëve që nuk janë nën kontrollin e tij, shirat e vjeshtës dhe pranverës në rastin e tij. Po kështu, ne besimtarët duhet të presim me durim për kohën e kthimit të Zotit, që sigurisht është jashtë kontrollit tonë. Ne duhet të jemi të durueshëm në çfarëdo vështirësie. Ne duhet të kemi një durim këmbëngulës.

Unë kam lexuar në lidhje me kinezët që mbjellin fara për të rritur pemën e bambusë kineze. Ata e ujitin dhe e ushqejnë, por vitin e parë asgjë nuk ndodh. Vitin e dytë ata e ujitin dhe e ushqejnë, ende asgjë nuk ndodh. Vitet e tretë dhe të katërt e ujitin dhe e ushqejnë dhe asgjë nuk ndodh. Pastaj vitin e pestë ata e ujitin dhe e ushqejnë dhe diku gjatë vitit të pestë, në një periudhë prej rreth gjashtë javësh, pemët e bambusë kineze rriten afërsisht tridhjetë metra! Banbuja nuk rritet tridhjetë metra për gjashtë javë, por në të vërtetë rritet për shkak të ujitjes dhe ushqyrjes për pesë vjet. Është mjaft e qartë se nëse këta fermerë nuk do të kishin aplikuar ujë dhe ushqim për pesë vjet nuk do të kishin asnjë pemë bambuje kineze. Pyes veten se sa gjenerata fermerësh kinezë kanë punuar me të vërtetë fermerë të duruar sa që të duronin për pesë vjet për të marrë të korrat e tyre? Mësimi ynë është i thjeshtë, të gjithë kemi pasur dhe do të kemi në këtë jetë përvoja të llojit të pemës kineze të bambusë, që kërkon durim për periudha më të gjata kohore, shpesh për shkak të faktorëve që janë jashtë kontrollit tonë.

Sidoqoftë, ilustrimi im i preferuar i durimit në fermë është si më poshtë:

Një fermer kishte një mushkë kokëfortë. Shumica e fermerëve ishin të paduruar dhe me siguri do ta kishin rrahur mushkën deri sa të ngordhte. Por fermeri nuk e goditi. Një ditë, ky fermer po kalonte një kohë të vështirë me mushkën e tij kokëfortë. Edhe durimi i tij mund të dobësohej. Kështu, fermeri i tha mushkës së tij, “Ti e di që unë nuk mund të të godas me shkelma, ose të godas për shkak të besimit tim. Ti e di që unë duhet të jem i durueshëm. Por ajo që ti nuk e di është se unë mund të të shes tek një fermer tjetër që është i dhunshëm!”

Jakobi u drejtohet të gjithë të krishterëve me një ilaç më të mirë. Jakobit kapitulli 5 dhe vargu 8 “Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër.”

Ne të krishterët, me ndihmën e Zotit dhe shumë lutje kemi nevojë për të kultivuar dhe praktikuar durimin, duke ditur që Zoti do të kthehet për të korrat eTij! Jakobi shkroi se “ardhja e Zotit është afër”. Çdo brez i të krishterëve beson se ardhja e Tij është e afërt, do të ndodhë, por askush në tokë nuk e di se kur saktësisht. Për më tepër, asnjë ngjarje ose shenjë nuk ka nevojë të ndodhë përpara se Zoti të kthehet në ajër për të rrëmbyer kishën e Tij. Kjo gjë mund të ndodhë në çdo kohë. Ne gjithashtu duhet të kujtojmë të vërtetën që na thuhet tek 2 Pjetrit kapitulli 3 dhe vargu 8: “Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.” Zoti ynë i përjetshëm ekziston jashtë kohës. Koha është e pakuptimtë për Krijuesin e përjetshëm, të pafund, para-ekzistues të gjithësisë.

Jakobi shkruan “qëndro i patundur“. Këto fjalë janë përkthyer “forconi zemrat tuaja”. Fjala origjinale greke tregon vendosmëri, guxim, përkushtim, pavarësisht nga sprova. Qëndroni të patundur sepse Shpenguesi ynë po kthehet të na çojë në shtëpi. Zoti do të na ndihmojë, por ne gjithashtu kemi përgjegjësinë të qëndrojmë të palëkundur. Ne besimtarët nuk duhet të harrojmë kurrë që problemet tona janë të përkohshme. Vuajtja mbaron kur Shpëtimtari ynë vjen tek ne. Ngjarja tjetër e rëndësishme sipas kohës së Zotit është ardhja e Birit të Tij për nusen e tij, kishën. Ne jetojmë në pritje të Ditës së Ardhjes së Tij, kjo është Dita jonë e Çlirimit!

Një aspekt tjetër praktik për të qenë i durueshëm na tregohet tek Jakobit 5, vargu 9: “Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera.”

Jakobi e njihte natyrën njerëzore, e cila nuk ka ndryshuar gjatë mijëvjeçarëve. Shpesh, kur bëhemi të padurueshëm, ne murmurisim, duke fajësuar të tjerët për problemet tona. Jakobi paralajmëron kundër këtyre mëkateve. Është e vërtetë ajo që thuhet në Romakëve 8: Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës”. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë për të krishterët ajo që thuhet tek 1 Gjonit kapitulli 1, vargjet 8 dhe 9 që thotë “Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.9 Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” Jakobi e paraqiste Krishtin si një gjykatës që po hapte dyert e gjykimit të tij. Dhe të gjithë më në fund do të përballen me Krishtin në një lloj gjykimi. 2 Korintasve kapitulli 5 dhe vargu 10 zbulon pjesërisht: ” Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.” Për shkak të gjërave të bëra keq, mund të ndodhë që të krishterët të humbasin shpërblime, që nuk kanë lidhje me shpëtimin.

Jezusi deklaroi në Zbulesa 22, vargu 12: “Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.” Këtu u referohet shpërblimeve për gjërat e bëra ose jo, të mira ose të këqija, në shenjtërimin tonë. Shpëtimi është i Zotit me anë të hirit të Tij, me anë të besimit dhe sipas asaj që Krishti ka bërë në kryq për të shlyer mëkatin tonë.

Jakobi më pas jep një shembull ekstrem të një besimtari këmbëngulës që murmuriti, por megjithatë u pendua dhe u shpërblye shumë edhe në jetën e tij tokësore dhe sigurisht edhe në qiell. Jakobit 5:10-11: “O vëllezër të mi, merrni si shembull vuajtjeje dhe durimi profetët, që folën në emër të Zotit.11 Ja, ne shpallim të lum ata që duruan; ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe e keni parë fatin përfundimtar që Zoti i rezervoi, sepse Zoti është plot mëshirë e dhembshuri.”

Padyshim, Jobi është një shembull i jashtëzakonshëm i një besimtari që murmuriti, por megjithatë në fund të fundit ishte i durueshëm në këmbënguljen e tij edhe kur gruaja e tij i tha në Jobi 2:9: “Qëndron ende në ndershmërinë tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!” Jo shumë besimtarë që do të humbin gjithçka që posedojnë, që do t’ju vdisnin të gjithë bijtë dhe bijat e tyre, që edhe vetë “do të goditeshin me plagë të dhimbshme nga thembra e këmbëve deri në majë të kokës” do të vepronin si Jobi. Megjithatë, në fund ai i tha Zotit në Jobi 42 vargjet 2 dhe 3: E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.3 Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.” Jobi 42 dhe vargu 6: “Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin”. Për këtë këmbëngulje të besimit te Zoti i Tij, përkundër vuajtjeve të tmerrshme, Zoti e bekoi me bollëk Jobin.

Jobit 42, vargu 12: “Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para.” Ky mund të mos jetë rasti për besimtarët që durojnë me durim sprova të tmerrshme, por ne mund të jemi të sigurt se në jetën që do të vijë me Zotin tonë “do të jetë më mirë”. Kështu që, Jakobi, duke zgjedhur Jobin si një shembull kryesor, i siguroi vëllezërit e tij që vuanin, se Zoti gjithmonë ka një qëllim për sprova dhe telashet. Kështu ndodh edhe me ne sot.

Ne gjithmonë duhet të kujtojmë që karakteri i Zotit tonë është “plot dhembshuri dhe mëshirë”. Ky duhet të jetë një ngushëllim përmes vuajtjeve tona, që Ai i lejon për qëllimet e Tij sovrane. Jakobi na paraqet me aspekte praktike të këshillës së Tijj për të qenë të durueshëm: të ndjekim shembujt e besimtarëve këmbëngulës, të kuptojmë karakterin e Zotit dhe të pranojmë qëllimet e Zotit, që Ai padyshim i lejon në jetën tonë ku përfshihet edhe vuajtja.

 

Më pas, Jakobi i referohet një tjetër kërcënimi të përbashkët gjatë letrës së tij në lidhje me sprovën e të folurit të një personi, i cili me anë të të folurit zbulon gjendjen e vërtetë shpirtërore, nëse ai ka besim të vërtetë, ose jo.

Si besimtarë, gjuhët tona duhet të zbuten vazhdimisht. Jakobi kapitulli 1 vargu 13 thotë që asnjëherë të mos themi:  “Jam tunduar nga Perëndina,” ose Jakobit kapitulli 1 vargu 19 na thotë që ne duhet të jemi “ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,“, Jakobit kapitulli 1 vargu 26: “t’i vëmë fre gjuhës sonë“, Jakobi kapitulli 3 vargu 5: ” Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh”, Jakobit kapitulli 3 vargu 9: “Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.”, Jakobit kapitulli 4 vargu 11: ” Vëllezër, mos shpifni njëri-tjetrin”, James kapitulli 5 vargu 9: “Mos flisni keq për njeri tjetrin, vëllezër.”.

Jakobi thotë tek kapitulli 5, vargu 12: “Dhe, para së gjithash, vëllezër të mi, mos bëni be as për qiellin as për dheun, as mos bëni ndonjë be tjetër; por le të jetë “po” -ja juaj “po” dhe “jo” -ja “jo,” që të mos bini nën dënim.”. Të qenit i durueshëm ndihmon në zbutjen e gjuhëve tona.

Tagged as

Reader's opinions

Leave a Reply


Continue reading

Next post

Kari Jobe


Thumbnail
Current track

Title

Artist