Zoti i çdo ngushëllimi
Written by adminradio on 13/06/2019
Testamenti i Ri, 2 Korintasve 1:3-7.
“Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi,4 i cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi.5 Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.6 Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.7 Edhe shpresa jonë për ju është e patundur, duke ditur se ashtu siç jeni pjesëmarrës në mundime, kështu do të jeni pjesëmarrës edhe në ngushëllim.”
Kjo është Fjala e Zotit. Zoti ju bekoftë ndërkohë që dëgjojmë Fjalën e Tij.
Në tekstin tonë të studimit 2 Korintasve 1:3-7 fjala “ngushëllim” haset 9 herë në këto pesë vargje. Zoti e di shumë mirë se ne kemi nevojë për ngushëllim në këtë botë të rrëzuar. Ne si të krishterë duhet të ngushëllohemi nga fakti se sa herë që marrim goditje të forta ne mund të shkojmë tek Perëndia i çdo ngushëllimi. Është e vështirë të gjesh ngushëllim në mes të shumë problemeve dhe sfidave. Por ne të krishterët duhet të kërkojmë ngushëllimin e Zotit, duke besuar tek Ai.
Zoti i shpalli popullit të Izraelit, popullit të Tij të besëlidhjes, diçka që ka vlerë edhe për ne sot, tek Ligji i Përtërirë 31:7, diçka që na citohet edhe tek Hebrenjve 13:5, “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.” Pavarësisht se sa vështirësi do të kalojmë, Zoti do të jetë me ne. Zoti është Ngushëlluesi përfundimtar. Perëndia na ka shpalosur disa principe në lidhje me ngushëllimin e Tij, që ne t’i kemi parasysh, t’i vëmë në praktikë dhe t’i ndajmë me të tjerët.
2 Korintasve 1:3-7 thotw, “Ati i të mëshirëve dhe Perëndia e çdo ngushëllimi.” Ne duhet të kuptojmë se si bij dhe bija të Perëndisë, përmes gjakut të Krishtit, kemi ngushëllimin e pafundëm të Atit Perëndi, i cili kujdeset, veçanërisht për bijtë e Tij në besim. Ai ështe Ati i çdo ngushëllimi, sepse Ai është i gjithçka-ditur, i gjithëdijshëm, është i gjithë-pushtetshëm, i gjithë-fuqishëm dhe është i kudondodhur për të dhënë ngushëllimin e Tij. Ngushëllimi i Perëndisë është në dispozicion në çdo rrethanë, në çdo mënyrë të mundshme, në çdo kohë.
Zakonisht problemi ynë më i ndërlikuar është “Pse?”. Pse Zot kemi kaq shumë lëndime dhe vështirësi, veçanërisht si bij të Perëndisë? Dhe zakonisht disa pyetje që kemi nuk marrin përgjigjie në këtë jetë. Ne duhet të ecim me besim, të luftojmë me mendjet, zemrat dhe vullnetin tonë. Fjalën “pse” duhet të zëvendësojme me “Ai”, që do të thotë, Zoti, Perëndia ynë është “Ai” ku duhet të vëmë besimin, të mbështetemi përgjatë çdo problemi dhe sfide.
Fjala origjinale greke “ngushëllim” lidhet me fjalën e njohur “protektor”, që është një person që të qëndron afër për të të mbrojtur. Perëndia “që mbron” është një tjetër term qe lidhet me Perëndinë dhe Frymën e Shenjtë, që është brenda nesh, besimtarëve të rilindur, brenda të krishterëve. Perëndia na qëndron shumë pranë në Krishtin, me anë të Frymës se Tij brenda zemrave tona, që është qendra e emocioneve tona, edhe në mendjet tona, që është qendra e intelektit tonw, edhe në vullnetin tonë, që është bërthama e qënies sonë të brendshme. Ai ndodhet aty për të na ndihmuar, për të na udhëhequr, për të na ngushëlluar. Ngushëllimi i Perëndisë është shumë i fuqishëm.
Pali na thotë tek Efesianëve 3:16, “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm.” 2 Korintasve 1:4 thotë, “I cili na ngushëllon në çdo shtrëngim tonin, që, nëpërmjet ngushëllimit me të cilin ne jemi ngushëlluar nga Perëndia, të mund të ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtërngimi.”
Ky varg konfirmon se nuk ka asnjë problem, as edhe një, për të cilin të mos ketë ngishëllim nga Perëndia, për të rilindurin e krishterë. Ne e dimë që Fjala e Perëndise nuk mund të thyhet. Fjala greke për “problemin” ka kuptimin e një presioni dërrmues. Kur ndihemi të shtypur, duhet të lutemi, ndoshta edhe për një kohë të gjatë, për të pranuar ngushëllimin e Perëndisë. Ndihma e Perëndisë mund të jetë shumë ngushëlluese.
Për më tepër, kur ne ngushëllohemi jemi të aftë të ngushëllojmë edhe të tjerët, në çdo problem që ata kanë. Kjo është fuqia e Perëndisë që punon në ne dhe përmes nesh. Sigurisht që ne nuk duhet të dëshirojmë të shtypemi, por përmes dhimbjes ne mund të behemi ngushëlluesit e Zotit për vuajtjet fizike, trupore që mund të kenë të tjerët. Duke u ngushëlluar vetë, ne mund të bëhmi edhe ngushëllues për të tjerët, një burim ngushëllimi për ata që janë në nevojë. Askush nuk duhet t’i përballojë vuajtjet i vetëm. Shumë njerëz nuk e njohin Zotin dhe ngushëllimi i Perëndisë përmes nesh mund të jetë një dëshmi e fuqishme për ta, që Zoti është Perëndia i çdo ngushëllimi.
Kam lexuar për një të ri, me emrin Dag, 15 vjeçar, që ishte diagnostikuar me leuçemi. Ai ishte në trajtim intesiv, duke bere kimio-terapi dhe po përjetonte efekte anësore shumë të këqija. Tezja e Dagut, që jetonte në një shtet tjeter, morri në telefon një agjesni lulesh, për t’i derguar Dagut një buqetë me lule të shoqëruar me një tullumbace për ta ngushëlluar atë. Tezja i tregoi shitëses se nipi i saj vuante nga leuçemia dhe ishte vetëm 15 vjeç. Më në fund, Dagu mori lulet, tullumbacen, të shoqëruara me 2 kartolina: një kartolinë nga tezja e tij dhe një tjetër nga shitësja e luleve. Kartolina e shitëses së luleve lexonte: “ Dag, unë e mora porosinë e luleve. Edhe unë kam pasur leuçemi kur kam qënë 7 vjeç, tani jam 22 dhe jam shumë mirë. Zoti të bekoftë dhe u kujdestë për ty Dag? Mos u dorëzo, unë jam me ty!”
Shitësja e luleve shkroi fjalë ngushëlluese për këtë djalë, për ta ndihmuar atë. Shitësja e luleve ndërmjetësoi për të ngushëlluar Dagun me ngushëllimin e Perëndisë gjatë kësaj kohe që ai vuante nga diçka që ajo kishte kaluar në jetë leuçemi-kancer. Ajo i tha Dagut se tani ishte 22 vjeç dhe ishte mirë. Ajo përmbushi fjalët e Shkrimit që na thuhen tek 2 Koritansve 1:4. Ky është një shembull që duhet ta ndjekim edhe ne sot, nëse na jepet mundësia.
Vargjet 5-6, “Sepse, ashtu si ndër ne teprojnë vuajtjet e Krishtit, po ashtu, nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.6 Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.”
Këtu Pali i referohet vetes së tij dhe ndihmësit të tij Timote, të cilët vuajnë bashkë me kishën, sepse janë të krishterë dhe jetojnë në një shoqëri që dominohet nga njerëzit që janë kundër Krishtërimit. Kështu ka qënë gjithmonë, si në shekullin e 1-rë, po edhe në shekullin 21. Kudo që mund të ndodhemi, në hemisferën lindorë apo në hemisferën perëndimore. Vendi dhe koha nuk kanë rëndësi. Perëndia në fuqinë e Tij, në karakterin e Tij, po ashtu edhe në ngushëllimin e Tij nuk ndryshon.
Sa më tëpër që rritemi në karakterin dhe në doktrinën e Krishtit, duke mos u konformaur sipas kësaj bote, aq më tepër do të vuajmë, do të përndiqemi dhe do të tallemi nga jobesimtarët. Perëndia do të na ngushëllojë në shtërngesat tona. Vini re vargun 5-sw që thotë,
“Nëpërmjet Jezu Krishtit, tepron edhe ngushëllimi ynë.” Duke pasur ngushëllimin e Perëndisë ne do të jemi në gjendje të ngushëllojmë të tjerët. Kur ne pranojmë ngushëllimin e Perëndisë ne maturohemi duke “pritur me këmbëngulje”, siç na thuhet edhe tek vargu 6, ne rritemi në besimin tonë.
Një komentues ka shkruar: “ Shumë mendojnë se kur Zoti na ngushëllon, problemet tona largohen. Por nëse do të ishte vetëm kështu, njerëzit do të besonin tek Perëndina për shkak të dëshirës për t’u çliruar nga dhimbja dhe jo nga dashuria për Të. Ne duhet të kuptojmë që të ngushëllohesh do të thotë të marrësh forcë, inkurajim, shpresë për t’u përballur me problemet. Sa me tepër që vuajmë, aq me tepër ngushëllim na jep Perëndia. Nëse ndiheni të mbingarkuar, lejoni Perëndinë që t’ju ngushëllojë.”
Zakonisht, ata që vuajnë më shumë janë më të dhembsur, ngushëllues më të mirë për të tjerët. Pse? Në shumcën e rasteve, sepse kanë pranuar dhe janë rritur në marrëdhënien e tyre me Perëndinë e çdo ngushëllimi, janë ngushëlluar. Të besosh thellësisht Perëndinë, edhe në kohë të vështira, do të thotë të forcohesh në besim. Ai na jep fuqi për të ndihmuar të tjerët, duke ju dhënë edhe ngushëllim, edhe inkurajim.
2 Korintasve 1:7 thotë “Dhe, nëse jemi të pikëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj; nëse jemi të ngushëlluar, kjo ndodh për ngushëllimin dhe shpëtimin tuaj, që veprojnë në mënyrë të efektshme që të duroni të njëjtat vuajtje që heqim edhe neve.” Qoftë në kishën e shekullit të 1-rë, por edhe në kishën e ditëve tona ne jemi një familje, ne ndajmë shqetësimet me njëri-tjetrin, po ashtu edhe fitoret, edhe ngushëllimin tonë. Dikush ka shkruar: “Vuajtja i jep ngjyra jetës sonë, me nuanca nga më të ndryshmet, disa të turbullta, disa më të shndritshme, por ne e zgjedhim ngjyrën. Ashtu si ari pastrohet dhe rafinohet në zjarr, po ashtu edhe të krishterët përmes sfidave mund të pastrohen, forcohen me anë të ndihmës së Perëndisë, që nuk do të na lerë dhe nuk do të na braktisë në Krishtin Jezus.”
Si motra dhe vëllezër në Krishtin, kur vjen tragjedia, ne mbetemi pa fjalë, bllokohemi dhe një përqafim do të ishtë një ngushëllim i çmuar për të ngushëlluar të tjerët, sepse ne kemi njohur prezencën e Perëndisë përmes ngushëllimit të Tij në vuajtjet tona.
Le të ngushëllohemi në mes të shqetësimeve tona, le të ngushëllojmë të tjerët duke imituar Perëndinë e çdo ngushëllimi. Le të ngushëllojmë të tjerët dhe të jemi një dëshmi e fuqishme për Perëndinë e ngushëllimit ndaj të tjerëve në lavdinë e Tij.